Ish mesfushori legjendar i Real Madridit, Guti, pretendon se superylli i Barcelonës, Lionel Messi, është më i talentuar se Cristiano Ronaldo, mirëpo sulmuesi i Juventusit është më ambicioz se argjentinasi.
Shpeshherë debatohet se kush është futbollisti më i mirë i të gjitha kohëve dhe dy pesë-herë fituesit e Topit të Artë, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo, janë dy ndër emrat më të përmendur në këtë debat.
Messi i Barcelona i ka shënuar 32 gola në La Liga këtë sezon dhe 42 në të gjitha garat, ndërsa Ronaldo i ka 19 gola të shënuara në Serie A e 24 në të gjitha garat për kampionin në fuqi italian.
Kur iu kërkuar të zgjedh mes Messit e Ronaldos, ish mesfushori i Real Madridit, Guti, i cili tani është ndihmës trajner i gjigantit turk Besiktas, tha për Marcan: “Që të dy”.
“Është e vërtetë që së fundi unë postova në llogarinë time në Twitter duke e zgjedhur Messin, por unë i vlerësoj jashtëzakonisht shumë atë që Cristiano e ka bërë. Ai është një lojtar i mrekullueshëm”.
“Messi ka më shumë talent. Ndërsa, Cristiano është më shumë si golashënues, është më ambicioz dhe është një lojtar që ka arritur deri në këtë pikë vetë. Është e mrekullueshme që në epokën e Messit, ai i ka fituar pesë Topa të Artë”.
Edhe Ronaldo me Juventusin, edhe Messi me Barcelonën janë në rrugë të drejtë për ta fituar titullin e kampionit të ligave vendore. Ndërsa, që të dy klubet janë ende në garë për titullin e kampionit evropian.







