Guri i LDK-së ia kthen Manxhukës: Po kritikojnë ata që zgërdhihen me ambasadorë që akuzohen për vjedhje

Kryetar i Forumit të Rinisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Paris Guri, i është kundërpërgjigjur zëdhënësit të Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka, i cili akuzoi LDK-në për një aksion se po i vjedhin idetë e Vetëvendosjes.

Guri tha se po kritikojnë ata që “po zgërdhihen” me ambasadorin që po akuzohet për vjedhje të milionave, duke aluduar për ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

“Po kritikojnë, ata që po zgërdhihen në fotografi me ambasadorë të cilët akuzohen për vjedhjen e 4 milionë eurove; Reagimi i tyre për dukjen e jo për përmbajtjen e legjitimon mesazhin e aksionit. Kauzat ju kanë vdekë, pikë”, ka shkruar Guri.

Manxhuka më herët tha se aksioni i Forumit Rinor të LDK-së është kopjuar nga një aksion i mëhershëm i partisë së tij, duke thënë se ata janë “hajna tipikë”.

“Këta edhe në njoftime mortore vjedhin. Hajna tipikë. Hajna. Në të vërtetë ka vdekur kauza e tyre e madhe e 25 gushtit 2015, ajo e themelimit të “Zajednicës”. Fotoja e parë është nga aktiviteti i Rinisë për VETËVENDOSJE!, më 23 dhjetor 2022, në shtatë vjetorin e shpalljes së vdekur të “Zajednicës””, ka shkruar Manxhuka në Facebook, duke shpërndarë disa fotografi të aksionit të tyre të mëhershëm”, kishte shkruar Manxhuka.

Forumi Rinor i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka organizuar sot një aksion përmes të cilit kanë shprehur kritikën e tyre për zhvillimet e fundit që ndërlidhen me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Në fletushka të shumta kanë shkruar se “kanë vdekur kauzat e Vetëvendosjes”.

Ky aksion i tyre vjen pasi Miroslav Lajcak ka lënë të kuptohet se në një farë forme Kurti është pajtuar që Asociacioni duhet të bëhet.

Lëvizja Vetëvendosje në krye me Kurtin historikisht ka qenë kundër Asociacionit.