Guardiola tregon arsyen e mos aktivizimit të Mahrezit

Pep Guardiola thotë se është i trishtuar dhe i keqardhur që nënshkrimi i Manchester City, Riyad Mahrez, nuk e ka filluar një ndeshje të Premier League që nga fundi i dhjetorit.

Mahrez erdhi nga Leicester për 60 milionë stërlina verën e kaluar dhe ishte, në fund të fundit, vetëm blerja më e shtrenjtë e kampionëve të Premier League.

Algjeriani filloi ta kapë ritmin e skuadrës së Guardiolës në vjeshtë, por është zhdukur praktikisht nga Premier League në gjashtë javët e fundit.

Guardiola e zgjodhi 27-vjeçarin për të luajtur në katër ndeshjet e FA Cup dhe Carabao Cup në janar, por e la atë jashtë skuadrës për sfidën kundër Huddersfield dhe e mbajti në stol kundër Liverpool, Wolves, Newcastle dhe Everton.

Guardiola fillimisht ishte i shqetësuar kur u pyet përse Mahrez nuk ka luajtur, para se të këmbëngulte se anësori nuk ka bërë asgjë të keqe dhe nuk është i mërzitur, megjithëse e nxiti atë që të punojë dhe të mos ankohet shumë:

“Po, e kam një arsye, që nuk po e aktivizoj. Unë jam arsyeja. Ai nuk është absolutisht fajtor, ose nuk përbën ndonjë arsye të veçantë, përse nuk po luan. Unë jam i trishtuar, sepse është duke u trajnuar fort. Ai është një lojtar tepër i talentuar, por në këtë moment kemi pesë sulmues.

Për shembull, në lojërat e fundit, Leroy Sane nuk ka luajtur. Ne kemi lojtarë të pabesueshëm, si për shembull Bernardo Silva dhe Rahem Sterling, që po kalojnë një formë të shkëlqyer sportive. Kjo është arsyeja e vetme pse mahrez nuk po luan, nuk ka asnjë arsye të veçantë, që të mërzitet apo diçka të tillë.

Ai është një djalë, me të cilin jemi të kënaqur. Fatkeqësisht nuk jam mirë me të, sepse nuk mund t’i jap minutat që meriton. Prandaj, më vjen keq, kjo është gjithçka që mund të them.

Unë nuk kam asnjë dyshim për cilësitë e tij, vetëm të vazhdojë të punojë, të mos ankohet shumë. Të shikojë përpara dhe të luftojë më shumë, sepse koha e tij po vjen”.