Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola e ka përjashtuar mundësinë e transferimeve në muajin janar.
Pas triumfit fenomenal të “Citizens” në edicionin e kaluar të Premier Leagues, ardhja e vetme për këtë sezon ka qenë Riyad Mahrez nga Leicester City.
Skuadra e Guardiolas e ka vazhduar fomrën e mirë edhe këtë stinor duke e nisur kampionatin me 10 fitore dhe dy barazime ndërsa ende nuk e ka provuar shijen e humbjes.
Në anën tjetër as lëndimi i fundit i mbrojtësit francez, Benjamin Mendy i cili do të jetë jashtë fushave për 10-12 javë, nuk do ta detyrojë trajnerin katalanas të bëjë përforcime.
“Nuk do të shpenzojmë asgjë në janar. Jam shumë i lumtur me skuadrën dhe ka lojtarë që janë duke u rikthyer. Kur e krijuam skuadrën për këtë sezon e ndërtuam në idenë që nuk duhet të bëjmë transferime në janar, përveç nëse do të kishim lëndime. Skuadra është e gjërë për nga kualiteti dhe disa futbollistë mendojnë se nuk i pëlqej e që në fakt nuk është e vërtetë, është kënaqësi të jesh me ta. Kemi lojtarë edhe nga akademia që mund të japin kontributin e tyre”, deklaroi Guardiola.
Ish trajneri i Barcelonës dhe Bayernit tregoi se mund ta vazhdojë qëndrimin e tij te Manchester City edhe pas vitit 2021, kur i skadon kontrata, pavarësisht se brenda javës në një panel pati thënë se në të ardhmen synon të drejtojë një kombëtare.
“Jam i kënaqur këtu, kam gjithçka çfarë i duhet një trajneri. Futbolli shikohet ditë pas dite, në një moment mund ta humbi kontrollin në dhomat e zhveshjes dhe lojtarët të mos më përcjellin më. Periudha jonë e bukur këtu do të përfundojë, por ndoshta mund të qëndroj edhe më gjatë, nuk e di”, theksoi Guardiola.







