Trajneri spanjoll

Guardiola mendon se Manchester City i këtij sezoni është më i mirë se ai i të kaluarit

Manchester City e përmbylli sezonin e kaluar si kampion me 100 pikë, por trajneri i “Citizens”, Pep Guardiola beson se këtë edicion skuadra e tij është përmirësuar.

Stinori i dytë i Guardiolës nën drejtimin e Cityt, përfshiu edhe triumfin në EFL Cup, ndërsa në Premier League, 4 herë kampionët e Anglisë ishin 19 pikë përpara përcjellësit të parë dhe rivalëve të qytetit, Manchester Unitedit.

City u mposht vetëm dy herë gjatë sezonit të kaluar, teksa kjo shifër është barazuar në sezonin aktual pas vetëm 18 xhirove të zhvilluara.

Sidoqoftë, Guardiola insiston se skuadra e tij është përforcuar në raport me vitin e kaluar, gjersa synon të arrijë të fitojë dy herë rresht Premier Leaguen, sukses të cilin Manchester City nuk e ka arritur asnjëherë në histori.

“Në detaje të vogla, jemi më të mirë se sezoni i kaluar, gjë që është normale për shkak se kemi kaluar më shumë kohë së bashku. Ndërtimi i lojës, presioni i ushtruar lartë, mund të përdorim alternativë shtesë për t’u mbrojtur dhe jemi më solid. Sezonin e kaluar më pati impresionuar vazhdimësia që kishim, sigurisht që patëm humbur pikë por pas këtyre rezultateve ne ishim gjithmonë aty për të reaguar”, u shpreh Guardiola.

Manchester City sot përballet me Leicesterin Cityn në udhëtim në ditën e parë të “Boxing Day”, derisa në fundjavë vitin e përfundon ndaj Southamptonit sërish jashtë shtëpisë.