Guardiola ia uron Liverpoolit fitimin e titullit në Premierligë

Pep Guardiola e ka uruar rivalin, Liverpool, për fitimin e Premierligës pas humbjes tronditëse të skuadrës së vet, Manchester City, kundër Norwich City.

Trajneri i Man City u tall duke thënë se skuadra e Jurgen Klopp tashmë e ka fituar titullin në ligë pasi Norwich bëri befasi të paparë duke e mundur 3:2 kampionin në fuqi.

Liverpooli tani ka pesë pikë më shumë se City në krye të renditjes tabelore në Premierligë.

Duke folur për gazetarë pas humbjes tronditëse nga ekipi i porsa promovuar në ligë, Guardiola bëri shaka se të kuqtë tashmë e kanë fituar titullin.

“Jemi në shtator… a do ta bëjmë këtë? Në rregull atëherë: urime Liverpool, ju jeni kampion”, tha Guardiola.

“Por jemi vetëm në shtator. Do ta rimarrim veten. Natyrisht kemi lëshuar pikë. Sa keq që edhe me Tottenham lëshuam pikë sepse bëmë lojë shumë të mirë”, shtoi ai.

loading…