Wolves e ndali Manchester Cityn në barazim në ndeshjen e fazës së parë në Premier League, dhe trajneri i “Citizens”, Pep Guardiola është i vetëdijshëm për rrezikun që paraqet kjo përballje.
City vjen në këtë ballafaqim pas tre fitoreve rradhazi, derisa ka arritur triumfe të thella kundër skuadrave modeste si Rotherham dhe Burton në FA Cup dhe EFL Cup.
Megjithatë, Guardiola beson se ndeshja me Wolves do të paraqet një tjetër histori duke vlerësuar sezonin që po zhvillojnë të besuarit e Nuno Espirito Santos.
“E kemi kuptuar sa janë të mirë kur u përballëm me ta në EFL Cup sezonin e kaluar, dhe këtë edicion në Premier League. Wolves është skuadër e fortë fizikisht, e mirë në ndërprerje dhe ka lojtarë të mrekullueshëm në kundërsulme. Dhe nëse kundërshtari i tyre lodhet, ata janë në gjendje të fusin në lojë lojtarë të freskët që mund të aplikojnë kundërsulmet. Me Ruben Neves dhe Joao Moutinhon, mund të jenë të rrezikshëm edhe nga gjuajtjet prej distancave të largëta. Për këtë arsye po zhvillojnë një sezon të mirë”, theksoi Guardiola.
Ish trajneri i Barcelonës dhe Bayernit shtoi tutje se shpreson që Aguero dhe Kompany të rikuperohen nga lëndimet për të qenë të gatshëm për takimin e së hënës.







