Mbrojtësi francez

Guardiola i ndihmoi Mendyt të kalonte periudhën e gjatë të lëndimit

Benjamin Mendy ka zbuluar se si e kishte kaluar kohën gjatë lëndimit që i kushtoi sezonin që e lamë pas.

Mbrojtësi francez nuk humbi kohë teksa rikuperohej nga lëndimi duke mësuar më shumë rreth taktikave të trajnerit spanjoll, Pep Guardiola.

“Nuk është e lehtë të jesh jashtë fushave, të presësh dhe të shikosh të gjitha ndeshjet. Kur e shihni se skuadra po luan shumë mirë, dëshironi të hidheni në fushë dhe të kontribuoni. Kështu që unë prita duke qëndruar me skuadrën, nuk dëshiroja të shkoja në shtëpi. Gjatë kësaj kohe mësova shumë gjëra nga taktikat duke pyetur Guardiolan dhe Artetan të cilët më sqaronin gjëra të rëndësishme”, potencoi Mendy për Sky Sports.

Mendy këtë sezon ka zhvilluar 5 ndeshje në Premier League, derisa ish mbrojtësi i Monacos ka pasur vetëm fjalë pozitive për Guardiolan.

“Guardiola ka bërë që futbolli të ndjehet në mënyrë shumë të mirë. Ai nuk pushon kurrë, vetëm mendon për futboll, prej një bisede me të e kupton sa shumë e dashuron punën e tij”, përfundoi Mendy.