Manchester City mposhti 0-4 West Hamin në ndeshjen e javës së 13-të në Premier League, duke u konfirmuar kryesues të tabelës, por afër “Citizens” qëndron Liverpooli, që së bashku me kampionët në fuqi nuk e kanë provuar ende shijen e humbjes.

Sipas trajnerit të Cityt, Pep Guardiolas, gara e ashpër për triumfin në elitën e futbollit anglez do të ketë efekte pozitive te skuadra e tij për shkak se nuk mund të ia lejojnë vetes gabimet duke e pasur afër skuadrën e Jurgen Klopp, ndërsa ish trajneri i Barcelonës dhe Bayernit ngriti një paralele me yjet e tenisit, Federer e Nadal.

“Është e ngjashme me Nadal dhe Federer, ata e shtyjnë njëri-tjetrin të jenë më të mirë. Në sport kemi nevojë për këtë gjë. Futbollistët e Cityt janë të vetëdijshëm për forcën e Liverpoolit, nuk ia kam thënë unë, por ata e dijnë. Poashtu ata janë të vetëdijshëm se nuk na lejohet të lëshojmë pikë sepse pastaj ligën do ta fitojë Liverpooli. Për të qenë në gjendje për të konkurruar na duhen rivalë të fortë, gjë që këtë edicion e kemi në të gjitha kompeticionet”, tha Guardiola.

Manchester City nesër përballet me Lyonin në udhëtim në sfidën e vlefshme për grupet e Champions
League, ndërsa të besuarit e Pep Guardiolas do të synojnë të hakmerren ndaj francezëve për humbjen që i shkaktuan në ndeshjen hapëse të grupit F.