Grupi i qytetarëve: Mustafa, Veliu e Haziri s’kanë legjitimitet të bllokojnë krijimin e institucioneve

Disa qytetarë kanë nënshkruar tashmë peticionin online që është nisur në internet ku kërkohet që sa më shpejtë të formohet qeveria e re.

Në këtë peticion me thirrjen #BollMo Jepini fund bllokimit të formimit të qeverisë menjëherë, kërkohet që qyetarët pa dallim bindejev politike apo orientimit partiak të nënshkruajnë që Isa Mustafa, Lutfi Haziri dhe Agim Veliu, zyrtarë të LDK-së, që nuk kanë garuar në zgjedhjet e gjashtë tetorit, t’i japin fund bllokimit të qeverisë.

“Ne, qytetarët e Republikës së Kosovës, pa dallim bindjeje politike apo orientimi partiak, kërkojmë nga Isa Mustafa, Lutfi Haziri dhe Agim Veliu, zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës që nuk kanë garuar në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe rrjedhimisht nuk kanë legjitimitet demokratik as tek votuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, që menjëherë t’i japin fund bllokimit të formimit të qeverisë.

Kosova ka nevojë urgjente për një qeveri stabile, për zhvillim ekonomik, drejtësi, arsim dhe shëndetësi dinjitoze. Nuk kemi kohë për të humbur. #BollMo

Koalicioni do të mund të formohej që më 30 gusht 2019, por garda e vjetër e Lidhjes Demokratike të Kosovës e refuzoi propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje për koalicion të përbashkët parazgjedhor. Nuk kemi kohë për të humbur. #BollMo”, shkruhet në këtë peticion.

Tashmë, atë e kanë nënshkruar gati 400 persona, ndërsa, i njëjti veçse ka filluar të shpërndahet në rrjete sociale.