Grupi C

Grupi i Ballkanit | Plzeni kalon në fazën nokaut pas fitores dramatike ndaj Dinamos

Viktoria Plzeni është skuadra e parë që ka avancuar nga faza grupore e Ligës së Konferencës në Grupin C, ku është edhe Ballkani. 

Skuadra e madhe çeke të enjten mbrëma fitoi në shtëpi kundër Dinamos së Zagrebit me rezultatin minimal, 1:0, në ndeshjen dramatike. 

Viktoria Plzeni kalon tutje nga vendi i parë pasi ka katër fitore në po aq ndeshje të luajtura dhe ka grumbulluar 12 pikë. 

Në vendin e dytë e të tretë janë Astana dhe Ballkani me nga katër pikë, kurse Dinamo e Zagrebit në vendin e fundit mbetet me tri pikë. 

Golin e fitores e ka shënuar sulmuesi Tomas Chory nga penalltia në minutën e 35-të. 

Sulmuesi Sandro Kulenoviq i barazoi shifrat në minutën e katërt të kohës shtesë. Megjithatë, pas rishikimit të situatës në VAR, goli u anulua pasi gjatë ndërtimit të aksionit ishte shkaktuar ndërhyrje e palejuar dhe pikët e plota i morën vendësit. 

Plzeni luan në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë më 30 nëntor, ndërsa Dinamo e Zagrebit do të luajë në udhëtim tek Astana.