Grubi: Udhëheqësit e Kosovës të përkrahin nismën e Ramës, për të rrëzuar akuzat ndaj UÇK-së

Zëvendëskryeministri i parë në Maqedoninë e Veriut, Artan Grubi, i bëri thirrje udhëheqësve të Kosovës që të përkrahin nismën e kryeministrit shqiptar Rama, në Këshillin e Europës për të rrëzuar akuzat ndaj UÇK-së.

Gjithashtu kërkoi më tepër koordinim mes Shkupit, Tiranës dhe Prishtinës për politikën e jashtme.

“Prishtina, Tirana dhe Shkupi duhet të koordinohen shumë më tepër në politikën e jashtme, në veçanti në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës por edhe të përpjekjeve të gjithë shqiptarëve në Evropën Juglindore, për liri, drejtësi, barazi, dhe pavarësi në Kosovë si dhe njohje reciproke midis Kosovës dhe Serbisë. Ky bashkërendim i aktiviteteve tona është domosdoshmëri dhe vlerësoj që jemi vonë në këto përpjekje dhe do kisha mbështetur iniciativën qoftë ajo të vije nga kryeministri Kurti apo kryeministri Rama, ndërsa neve na kanë mbështetje gjithmonë”, deklaroi zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, A2.

Grubi shtoi se “asnjë e keqe Kosovës nuk mund t’i vije nga Shkupi apo Tirana, përkundrazi, do të ketë mbështetjen absolute në çfarëdo qoftë nisme, rajonale, kontinentale apo globale”.