Gruaja që mposhti kancerin rrëfen betejën me sëmundjen dhe apelon gratë: Bëni kontrolle

“Nuk kam mundur këtë spital me pa dhe më erdh puna vet për vete me hy aty”, rrëfen 53-vjeçarja, dikur e prekur me sëmundjen e kancerit të gjirit.

Ajo thotë se para sëmundjes, e kishte të vështirë të shoh objektin me xhama të kaltër të Onkologjisë, por më pas frika e madhe ju kthye në forcë për të jetuar.

Katër vjet më parë, Valbona Ismaili rrëfen për KosovaPress se u diagnostikua me sëmundjen e kancerit të gjirit, të cilën nuk e përballoi lehtë por vendosi që të fitojë këtë betejë.

Në vjeshtë të vitit 2018, nëna e dy fëmijëve, filloi të humbasë peshë dhe të mos ndjehej mirë.

“Disa mjekë i kam vizituar se nuk dija se çfarë po ndodhte me humbje të peshës, jo drastike por humbja peshë pa dieta specifike. Njëkohësisht edhe vitamina D më pati ra në 3 që është një ndër indikatorët e kancerit të gjirit dhe është edhe vitamina D e ulët. Përkundër këtyre simptomave nuk më kanë orientuar sepse kam qenë të endokrinologu. Kur mora të bëjë vizitën rutinë tek kirurgu torakal, e pa një ciste që tha se nuk është një cistë e keqe. Por, prapë se prapë më la në vëzhgim. Më tha eja pas tre muajsh. Në momentin kur mjeku të thotë eja pas tre muajsh apo gjashte muajsh, dije që po dyshon diçka. Por unë nuk e kam menduar atë”, rrëfen Ismaili.

Pas tre muajve, ajo bëri edhe një incizim tjetër, ku vërejti që cista veçse kishte filluar të marrë përmasa më të mëdha.

Kur bëri mamografinë, ajo ishte njoftuar se trupin e saj po e ngacmon një tumor, ndërkaq pas biopsisë, Ismaili u diagnostikua me kancer agresiv invaziv.

Vizitat e para i bëri vet, por ditën kur do të merrte rezultatet e biopsisë u shoqërua nga mikja e saj e ngushtë.

“U bë biopsia, pas një kohë shoqja ime e ngushtë që kam qenë një kohë të gjatë me të shoqe, ajo shkoi me marr rezultatet dhe u takuam aty te radiologu dhe erdhi edhe ajo. Madje ajo më ka kumtuar atë lajmin më të keqin. Por, ajo deshi vetë. Është një moment që në të vërtetë nuk më kujtohet shumë, e di që nuk kam reaguar shumë. Një pikë lot e kam derdhur, por aq. Paraprakisht jam munduar ta para-përgatis atë lajmin”, shton Ismaili.

Nëna e dy fëmijëve, e cila ka shtetësinë italiane, vendosi që të trajtohej në Kosovë. Ajo jeton me nënën e saj dhe rrëfen se gjithmonë kujdesej që ajo të mos e përjetojë rëndë sëmundjen e saj.

Megjithatë, përkundër gjendjes jo të mirë fizike e emocionale, 48-vjeçarja asaj kohe, vazhdoi të punojë e të mos ndalej.

Dikur kishte frikë të madhe nga mjekët, por vullneti e dëshira e madhe për të jetuar mposhti gjithçka.

Në shkurt pati seancën e parë të kimioterapisë, për çka tregon se ka pasur nevojë për psikolog.

“As operacioni nuk më ka shqetësuar, pak kimioterapia. Sepse nuk kam pasur njohuri, kam pasur frikë. Sepse ne kemi tendencë të kemi frikë prej të panjohurës. Nuk kam pasur njohuri bazike sepse nuk kemi pasur dikë familjarë të sëmurë që të dija procedurat se si shkojnë. Mandej, besoj që disa informacione bazë nuk i kam pasur që shumë më kishin kryer punë për pacientin…Unë nuk kam ditur a duhet të shkoj pa ngrënë mëngjes, a mundem ta heq kanillën që të shkoj në tualet nëse më duhet. Janë disa gjëra dhe e kam marrë ashtu, aty ka qenë frika ime derisa e kam kryer kimioterapinë”, shton më tej ajo.

Valbona nga Prishtina arriti që me gjashtë seanca për trajtimin e kancerit të mposhtë këtë sëmundje. Por, beteja për mposhtjen e qelizave kanceroze nuk ishte e lehtë.

Ajo rrëfen se kohë me parë nuk dëshironte as të kalojë para objektit të Onkologjisë, ku trajtohen personat e sëmurë me kancer.

“Një spital që bie në sy me ata xhamat e kaltër. Sa herë më ka rastisur të kalojë andej, e kam kthyer kokën se më janë dhimbsur personat që janë të sëmurë aty. Nuk kam pasur asnjë familjarë dhe kurrë nuk e kam vizituar atë spital. Edhe e kam evituar edhe shikimin. Herën e parë vetë kam shkuar. Edhe ajo ka qenë pak një ndër ato ndjenjat, emocionet jo fort të mira. Thash nuk kam mund këtë spital me pa dhe më erdh puna të hyj vetë aty”, tregon Ismaili për kohën e shkurtit kur filloi të marrë kimioterapitë.

Gradualisht filluan të shfaqen edhe ndryshimet e para në trupin e Valbonës.

Ajo vendosi që edhe pas disa javëve që kishte kryer operimin, të mos shikojë vetën në pasqyrë.

“Unë kam qenë frikacake edhe për çdo plagë të shoh. Hiç, minimale plagët nuk i kam shikuar por më është dashur të ballafaqohem me një gjë shumë më të madhe… Ka kaluar një kohë pasi e kam hequr fashën, është shëruar plaga, ka kaluar një kohë që nuk jam shikuar në pasqyre. Nuk e kam pasur atë guximin. Nuk e kam sforcuar vetën të shihem në pasqyre derisa nuk kam qenë e gatshme. I kam kryer pastrimet rutinë, nuk jam shikuar”, shprehet Ismaili derisa rrëfen që e kishte paramenduar veten se si do të dukej pas operacionit.

Me fillimin e seancave të kimioterapisë, Ismaili tregon se flokët kishin filluar të pakësohen. Për këtë, kishte preferuar t’i shkurtonte në fillim dhe të mbante paruke.

“Kam shkuar paraprakisht i kam shkurtuar flokët se më kanë thënë që më lehtë është nëse i shkurton. I kam shkurtuar krejt edhe pas kimios së dytë filluan kapak-kapak. Mjeku më tha qe nuk më bien më shumë, nuk ranë krejt. Pas seancës së tretë filluan prapë. Aty pak u zhgënjeva, se më tha që me kaq u krye dhe pas të tretës prita që po rriten aty veç filluan që pjesa tjetër që kishte mbetur të bien”, thekson 53-vjeçarja.

Përkundër të gjitha vështirësive, Ismaili thotë se gjeti vullnetin e forcën që të mos dorëzohej. Në gjashtë muajt e parë të vitit 2019, ajo tregon se kishte vendosur të bëjë ndryshime pozitive në jetë.

Valbona Ismaili, dikur e prekur me sëmundjen e kancerit e gjirit u bën thirrje të gjitha grave që të mos dorëzohen para kësaj sëmundje. Ajo fton të gjitha gratë dhe vajzat që të jenë të kujdesshme dhe të bëjnë kontrolle rutinë.

“I këshilloj të gjitha gratë dhe vajzat që të bëjnë kontrolle rutinë. Mandej ju tregojnë cilat kontrolle është nevoja. Sepse shumë ka rëndësi diagnostikimi në faza të hershme. Nuk është njëjtë, sepse unë e kam kryer e kam përfunduar si gripin. Kjo është kryer dhe për mua është kapitull i mbyllur kam dëgjuar gra që shohin ndryshime dhe nuk kam guxim të shkojnë, por vetëm keqësohet gjendja jote, avancohet stadi dhe terapitë janë më të rënda”, përfundon ajo.

Të njëjtën thirrje e bën edhe Nafije Latifi, e cila luftoi vet me kancerin. Ajo thotë se çdo e dhjeta grua është e rrezikuar të atakohet me këtë sëmundje.

Drejtoresha e Organizatës për Luftimin e Kancerit të Gjirit – Jeta/Vita, Nafije Latifi në intervistën për KosovaPress tregon se çdo vit me qindra raste të reja po diagnostikohen me këtë sëmundje.

“Sëmundja është prezente këtu, atakon 400 raste të reja, rreth 400 gra në vit. Atakon edhe një numër të meshkujve, por është 1 për qind”, thotë Latifi.

Ma tej, ajo shton se edhe më tej ka mungesë të infermierëve në Onkologji dhe gratë me këtë sëmundje po përballen me vështirësi.

“Ky institut është projektuar për 100 pacientë, aty sot shkojnë, frekuentojnë 300 pacientë. Merreni me mend ata ambient të ngushtë, ku duhet të pritet par kimioterapi të ndërrohen dy-tre sëmurë në pritje të shtratit. Ai ambient nuk mjafton sot për atë fluks sot ka numër të madh të pacientëve. Nuk i përshtatet nevojat qe kanë pacientët dhe që ka edhe stafi…. Për vite me radhë, prej fillimit ka qenë mungesë e barnave. Kurrë nuk ka qenë mbulueshmëria e nevojshme aq sa ju ka nevojitet pacientëve. Çdo herë thuhet që nuk ka buxhet. Unë si paciente, person qe e përcjelli punën e politikave shëndetësore mendoj që nuk ka politika të mirëfillta shëndetësore, nuk planifikime të duhura, nuk ka organizime të duhura”, shton Latifi për KosovaPress.

Ajo tregon se kërkesat e tyre kanë qenë edhe për proteza për gratë, por deri më tani Ministria e Shëndetësisë nuk ka ndarë buxhet për këtë çështje.

Muaji tetor, shënon muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Edhe këtë vit, do të organizohet marshi tradicional në sheshet e kryeqytetit.

Me datën 28 të muajit rozë do të marshohet me moton “Zbulimi i hershëm është mbijetesë”. Po ashtu, në 15 fakultete në shumë qytete do të mbahen ligjërata për vetëdijesimin dhe luftimin e kësaj sëmundje.