Gruaja e Jakup Krasniqit del dhe komunikon shkurtimisht me anëtarët e NISMA-s jashtë shtëpisë

Bashkëpartiakë të ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi janë parë te shtëpia e këtij të fundit ku Zyra e Prokurorit të Specializuar ka urdhëruar zhvillimin e një operacioni.

Një ekip i televizionit T7 po qëndron pranë shtëpisë së Krasniqit, ku janë parë të pranishëm edhe disa bashkëpartiakë të Jakup Krasniqit nga Nisma Socialdemokrate të cilët janë parë duke biseduar me gruan e Jakup Krasniqit dhe familjarë të tjerë të ish-kryeparlamentarit.

Gresa Krasniqi, vajza e Jakup Krasniqit ka treguar se zyrtarët e Prokurorisë së Specializuar janë duke e intervistuar Krasniqin nga ora 06:30. Ajo ka treguar se Krasniqi po intervistohet në njërën nga dhomat e shtëpisë së tij në lagjen Velania në Prishtinë.

Bilall Sherifi nga Nisma paraprakisht ka diskutuar me zyrtarë të Policisë së Kosovës, të cilët bashkë me zyrtarë të Policisë së EULEX-it po asistojnë në këtë operacion.

Krasniqi ka qenë një nga njerëzit kryesor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).