Deputeti Adem Hoxha, bashkëshortja dhe vajza e tyre e mitur janë sulmuar fizikisht të premten. Këtë e ka konfirmuar Policia e Kosovës e cila ka treguar se rasti ka ndodhur rreth orës 18:30.
Ndërsa Adem Hoxha në një postim në rrjetet sociale ka shprehur brengën për mungesën e rrymës, dhe nuk ka treguar pse u sulmua ai dhe familja e tij, është gruaja e këtij të fundit që ka folur për këtë rast.
N. Hoxha ka treguar se ajo dhe bashkëshorti i saj janë sulmuar derisa kanë qenë në një tubim.
“Rasti ka qenë deri sa ishim në një tubim, ka pasur shumë njerëz aty dhe gjithë kohën ai na ka ofendu në mënyrë verbale, na ka thënë fjalë banale gjithë kohës. Dhe pastaj më sulmoi mua, dola nga vetura dhe i thash të largohet nga familja ime, sepse ishim në një tubim. Më sulmoi dolën njerëz, vajzën e kam pas aty të mitur ajo është traumatizuar”, ka thënë ajo.
Më tej, ajo ka bërë me dije se personi që i ka sulmuar vazhdimisht iu bën probleme.
Sipas saj, sulmuesi jeton jashtë vendit dhe tani ka ardhur në pushime në Kosovës.
“Jo nuk e di cka ka ai me ne me vite të tëra po merret me ne, ai gjithë kohës, ne nuk kemi pasur asnjë problem me të, ai shkruan gjithcka në rrjete sociale jeton jashtë, tani ka ardhur në pushime”, ka thënë ajo për Kallxo.com.
“Këmbën e kam të lënduar, kemi marrë tretman në QKMF, vajza nuk ka fjet gjithë natën me shqetësime, tashmë I kemi disa procdura dhe na kanë thënë që të shkojmë prapë në trajtim”, ka deklaruar ajo.







