Sulmuesi i Atletico Madridit, Antoine Griezmann ka zbuluar se të qenurit zëvendësues i Messit për nga rëndësia në klub e ka detyruar ta refuzojë Barcelonën.

Francezi ishte i lidhur vazhdimisht me një transferim në “Camp Nou” para fillimi të Kampionatit Botëror, sidoqoftë Griezmann vendosi përfundimisht të qëndrojë te “Los Colchoneros” duke rinovuar kontratën deri në vitin 2023.

Griezmann ishte i ftuar në televizionin francez, Canal Plus derisa tregoi se refuzimi i Barcelonës ka qenë vendim i vështirë por dëshira e të gjithëve te Atletico e shtyu 27 vjeçarin të vazhdojë qëndrimin në kryeqytetin spanjoll.

“Ishte shumë e vështirë ta refuzoja Barcelonën. Ata më donin shumë teksa më telefonin dhe shkruanin mesazhe. Por në anën tjetër ishte klubi ku unë ndodhesha ku ndihesha i rëndësishëm dhe projekti i klubit ndërtohej rreth meje. Poashtu edhe të qenurit nën hijen e Messit ka luajtur rol. Të gjithë te Atletico kanë folur me mua, ndërsa drejtuesit edhe më rritën pagën. Ishte periudhë e vështirë, sidomos për gruan time të cilën e zgjoja në orën 3 të mëngjesit për të biseduar”, u shpreh Griezmann.

Antoine Griezmann ka zhvilluar 17 paraqitje këtë sezon në të gjitha kompeticionet me fanellën e Atletico Madridit duke shënuar 6 gola.