Antoine Griezmann e ka ripërsëritur dashurinë që e ka për Atletico Madridin pas ndeshjes së fituar 2-0 ndaj Borussia Dortmundit, teksa shënoi golin e 20-të në Champions League, një rekord ky për klubin spanjoll.
“Los Colchoneros” u shkatërruan 4-0 në takimin e parë në Gjermani, por arritën të përgjigjen në përballjen e mbrëmshme në Madrid duke triumfuar me golat e Saul dhe Griezmann.
Ky i fundit në përfundim të sfidës shprehu kënaqësinë e tij e të luajturit te Atletico Madridi, derisa aktivizohet prej vitit 2014 te skuadra nga kryeqyteti spanjoll.
“Janë këto netë që i dua dhe arsyeja pse jam i shumë i kënaqur për të luajtur te ky klub. Ne dëshironim me të vërtetë t’i përgjigjeshim atyre pas humbjes që e pësuam në Gjermani. Ne mësuam nga gabimet tona dhe arritëm të bëjmë një figurë të mirë. Kishim lojtarë të lënduar por skuadra arriti të japë përgjigjen e duhur, si gjithmonë”, tha Griezmann për UEFA.com.
Në anën tjetër edhe trajneri Diego Simeone ishte i kënaqur me performancën e sulmuesit francez, por sipas tij fitorja ishte produkt i skuadrës.
“Griezmann është në formë të shkëlqyeshme, ashtu sikur edhe në sezonin e kaluar. Por nuk është vetëm ai, e tërë skuadra ishte e shkëlqyer. Duhet të vazhdojmë në këtë rrugë që përfshin presionin dhe sulmin, e kemi bërë këtë gjë për një kohë të gjatë, por duhet ta vazhdojmë”, përfundoi trajneri i Atleticos.
Atletico Madridi dhe Borussia Dortmundi kryesojnë grupin A me nga 9 pikë secila, ndërsa në vendet 3 dhe 4 ndodhen Club Brugge me 4 dhe Monaco me 0 pikë.







