Grupi Kumanova

Greva e të burgosurve nga Grupi i Kumanovës, reagon ambasadori Gjergj Dedaj

Të pakënaqur nga trajtimi dhe nga kushtet e rënda në burgun e Shutkës, një pjesë e Grupit të Kumanovës në të cilin janë edhe disa shtetas të Kosovës i kanë mbushur një javë nga futja në grevë urie. Zyrtarë të Ambasadës së Kosovës në Maqedoni kanë vizituar të burgosurit për të parë gjendjen e tyre, kurse ambasadori Gjergj Dedaj ka kërkuar nga autoritetet maqedonase që të shqyrtojnë me urgjencë gjendjen e tyre shëndetësore dhe kërkesat që kanë parashtruar të burgosurit.

Në emër të Grupit Kumanova,( prej tyre disa të dënuar me burg të përjetshëm dhe të tjerë me shumë vjet burg), është publikuar një letër ku kërkohet që çështja e tyre të merret me urgjencë.

Sipas tyre, janë tri arsye të forta që grupi i Kumanovës të kthehet në fokus dhe, siç thonë ata, të bëhet një shqyrtim i rastit.

Ata kanë përmendur si fakt të parë gjendjen shëndetësore të të burgosurve, duke deklaruar se ka dhunë nga zyrtarët e burgjeve në Maqedoni.

Në lidhje me këtë, ka reaguar edhe ambasadori i Kosovës në Maqedoni, Gjergj Dedaj, i cili për herë të parë që nga marrja e postit të ambasadorit ka folur për këtë çështje.

Ai i ka thënë Agjencisë së Lajmeve FaktePlus se ambasada u është drejtuar autoriteteve përkatëse të Maqedonisë dhe ka vizituar grevistët e Grupit të Kumanovës.

“Me të marrë njoftimin se nga 2 dhjetori i këtij viti një pjesë e të burgosurve të akuzuar në rastin e Kumanovës janë në grevë urie, ne si Ambasadë iu kemi drejtuar autoriteteve përkatëse të Maqedonisë që zyrtarëve tanë të iu lejohet vizita në burg dhe takimi me të burgosurit grevist. Dy diplomatë të misionit tonë i kanë vizituar grevistët në burgun e Shutkes dhe janë njoftuar me gjendjen shëndetësore dhe kërkesat e tyre”, bëri të ditur Dedaj.

Ai tutje ka theksuar se Ambasada e Kosovës në Maqedoni i ka përcjell procedurat e gjykimit të këtij grupi dhe se do të vazhdojë të monitorojë rastin në fjalë.

“Ambasada e Republikës së Kosovës në kuadër të përgjegjësive, kompetencave dhe autorizimeve i ka përcjell procedurat e gjykimit të këtij rasti dhe ka marrë pjesë në seancat e gjykimit. Kuptohet rasti ka ndodhur brenda territorit të Republikës së Maqedonisë dhe si i tillë i nënshtrohet ligjeve dhe drejtësisë maqedonase”, thotë Dedaj.

Tutje, ambasadori Dedaj ka konfirmuar se është takuar edhe me deputetë të Kuvendit të Maqedonisë për të përcjell tek ta kërkesat dhe gjendjen e grevistëve.

“Unë si ambasador së bashku me njërin nga diplomatët jemi takuar edhe me deputet. Kemi kërkuar që autoritetet maqedonase të shqyrtojnë me urgjencë gjendjen e tyre shëndetësore dhe kërkesat eventuale të tyre. Pra, ambasada e ka bërë atë që duhet ta bëjë në kuadër të kompetencave, përgjegjësive dhe autorizimeve për të dënuarit e rastit të Kumanovës të cilët janë qytetarë të Republikës së Kosovës”, ka thënë ambasadori.

Gjykata Penale e Maqedonisë ka dënuar me 746 vjet burg 33 pjesëtarët e Grupit të Kumanovës. Nga ky proces gjyqësor janë dhënë 7 dënime me burg të përjetshëm, 13 persona u dënuan me 40 vjet burg, 6 persona me nga 20 vjet, njëri nga të akuzuarit u dënua me 18 vjet, dy me nga 14 vjet, si dhe dy pjesëtarë tjerë me nga 13 vjet.

Kurse në mungesë të dëshmive, katër persona u liruan nga të gjitha akuzat. Me burg të përjetshëm u dënuan: Andi Krasniqi-Malisheva, Demë Shehu, Fadil Fejzullahu, Nasuf Zeqiri, Valdet Zekaj, Beg Bajra dhe Fejzulla Rushitovski.

Autoritetet maqedonase akuzojnë Grupin e Kumanovës për pjesëmarrje në organizata terroriste dhe për terrorizëm.