Athina zyrtare

Greqia të mërkurën do të hapë kufijtë me Shqipërinë

Greqia më 1 korrik do të hapë kufijtë me Shqipërinë. Lëvizjet mes dy shteteve do të jenë pa kufizime në pikat kufitare të Kakavijës dhe të Kapshticës.

Ndryshe nga vendet e tjera të BE-së, ku vetëm Serbia e Mali i Zi mund të udhëtojnë në këto vende pas 1 korrikut, Greqia si vend anëtar ka vepruar ndryshe. Qeveria greke shpreson të shpëtojë dëmin e madh që ka shkaktuar pandemia te motori i saj kryesor i ekonomisë, që është turizmi. Sidomos Greqia e veriut pret çdo vit nga 10-12 milionë turistë nga kufijtë e saj tokësorë me shtete ballkanike

Zëdhënësi i Qeverisë greke, Stelios Petsas, informoi të hënën se nga 1 korriku Athina synon të rikthehet drejt normalitetit si përpara krizës së koronavirusit. Me këtë rast do të hapen 7 nga 14 pikëkalimet tokësore në veri të Greqisë që lidhin vendin me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, me Bullgarinë dhe Turqinë. Madje ai ka komunikuar edhe doganat përkatëse që janë dy pika me Shqipërinë, një me Maqedoninë e Veriut, dy me Turqinë dhe dy me Bullgarinë.

“Njëkohësisht hapen të gjithë pikat kufitare tokësore të Evzonit (Maqedonia e Veriut) , Kakavijës, Kapshticës (Shqipëri), Promahonës, Nimfeos (Bullgari), Kastanjës dhe Kipousit (Turqi)”, u shpreh Stelios Petsas, zëdhënës i Qeverisë.

Sa u përket protokolleve shëndetësore, do të përdoret procesi i njëjtë që ka hyrë në fuqi edhe në aeroportet apo portet e vendit. Do të ketë një ekip mjekësor, i cili do të kryejë teste të rastësishme te një përqindje e vogël e personave që hyjnë në tokën greke dhe vetëm këta të fundit do të plotësojnë një formular ku do të japin adresën ku do të shkojnë dhe një numër telefoni, për t’u kontaktuar nga organet mjekësore vetëm në rast se dalin pozitivë pas një ose dy ditësh. Pjesa tjetër e udhëtarëve do të hyjë në Greqi ashtu si edhe më parë.

Të premten, por edhe në javët e mëhershme zyrtarë të kabinetit qeveritar grek ishin shprehur se nuk kishin plane për rinisjen e udhëtimeve me Shqipërinë, duke treguar rezerva për përkeqësimin e situatës epidemiologjike që nisi të vërehej në Tiranë prej mesit të qershorit. Greqia vetë falë izolimit fillestar ka mundur ta përmbante infeksionin e COVID-19 që në vend ka prekur më shumë se 3.300 persona dhe ua ka marrë jetën rreth 190 prej tyre. Në vazhdën e politikave lehtësuese ndaj epidemisë, Qeveria greke lejoi të hënën frekuentimin sërish nga qytetarët të kinemave, teatrove, kazinove, klubeve kulturore, panaireve dhe koncerteve e evenimenteve artistike.