Greqia ka njoftuar sot se është në pritje të informacioneve nga Serbia, të cilën e fajëson për mos informimin e autoriteteve greke për avionin me dërgesë armësh drejt Bangladeshit, i cili u rrëzua të shtunën në veri të vendit.

“Pala serbe nuk mund të pretendojë se gjithçka është bërë siç duhet, nuk është bërë dhe ne presim një shpjegim”, tha ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias në një intervistë për portalin grek nevsbomb.gr, transmeton Ballkani.info.

Ai shtoi se Serbia, nga e cila u ngrit avioni, duhej të kishte informuar autoritetin grek të aviacionit civil për natyrën e ngarkesës, gjë që nuk ishte rasti, në përputhje me rregulloret.

Të tetë anëtarët e ekuipazhit vdiqën, pasi një avion ukrainas i mallrave u rrëzua në Greqi në orët e vona të 16 korrikut. Autoritetet serbe thanë se ky avion po bartte armë serbe, të destinuara për në Bangladesh.

Serbia është munduar të shfajësohet për këtë tragjedi, mirëpo ka dyshime të mëdha për destinacionin përfundimtar të armëve dhe vendi nga është nisur avioni.

Avioni është nisur nga Nishi, afër bazës së spiunazhit rus që ndodhet aty pranë, prandaj dilemat shtohen edhe më shumë nëse qëllimi i vërtetë ka qenë që armët të shkojnë në Bangladesh. /Ballkani.info/