Grenell thotë se po të ishte Trump në pushtet nuk do të kishte luftë në Ukrainë

Ish i dërguari i Presidentit Donald Trump për dialogun Kosovës dhe Serbisë Richard Grenell ka bërë disa deklarime të rënda gjatë një ligjërate të mbajtur në Fakultetin e Shkencave Politike të mërkurën në Beograd.

Siç shkruan e përditshmja beogradase “Danas”, Grenell ka thënë se fajtorë për mungesën e një zgjidhje në dialogun Kosovë -Serbi janë Bashkimi Evropian që udhëheq procesin dhe Qeveria e Albin Kurtit. Tutje, sipas “Danas” Grenell ka bërë edhe një deklarim absurd duke thënë se KFOR-i duhet të tërhiqet nga Kosova sepse, prania e KFOR-it e zgjat konfliktin dhe e dëmton ekonominë e Kosovës pasi, sipas tij, i pengon kompanitë të investojnë në Kosovë, shkruan gazeta serbe Danas. Grenell po ashtu ka theksuar se “procesi i Brukselit që flet për njohje dhe mosnjohje të Kosovës nuk e zgjidh problemin..

Duke vazhduar tutje, studentët patën gjithashtu mundësinë t’i bënin pyetje Grenellit. Ata u interesuan edhe për qëndrimin e tij në lidhje me sanksionet kundër Rusisë, për të cilin Grenell tha se vendosja e sanksioneve ndaj Nord Stream 2 ishte një gabim.

“Shembulli i çdo vendi është i ndryshëm, nuk dua t’i them Serbisë se çfarë të bëjë në lidhje me sanksionet”, u përgjigj Grenell.

Ai gjithashtu tha se mendon se Trump do të kandidojë sërish për president dhe se nëse lidershipi i Trump do të kishte mbetur në pushtet, nuk do të kishte luftë në Ukrainë.

Ai ishte gjithashtu kritik ndaj OJQ-ve dhe sektorit civil. Ai tha se shumica e atyre njerëzve të thjeshtë që “punojnë shumë dhe jetojnë ndershëm” nuk janë të përfshirë në procese politike.

Pozicioni ideologjik i Grenellit ishte gjithashtu i qartë. Në fund të prezantimit, ai vuri në dukje se ai është një shembull se si homoseksualët nuk duhet të jenë vetëm progresistë të majtë, të cilët ai i quajti “të çmendur” më shumë se një herë, por mund të jenë edhe për kapitalizmin dhe sundimin e ligj, pra me orientim konservativ.