Grenell akuzon ish-Kryeprokurorin e Speciales: Shkatërroi reputacionin e gjykatës

Ish-emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka akuzuar ish-Kryeprokurorin e Prokurorisë së Specializuar, Jack Smith, se e ka shkatërruar reputacionin e Hagës.

Në një reagim në rrjetin social Twitter, Grenell ka thënë se Jack Smith ka shkatërruar “një herë e përgjithmonë” reputacionin e Gjykatës Speciale.

Ai ka thënë se Smith nuk ka “busull morale” për të hetuar ish-presidentin Donald Trump.

“Jack Smith nuk ka busull morale. Ai ka tentuar ta kapte Donald Trumpin qe një kohë – dhe nuk i intereson që gënjen për ta arritur këtë qellim. Ai e ka shkatërruar njëherë e përgjithmonë reputacionin e Hagës – dhe po, unë e kam një histori që kam për ta treguar për të”, ka thënë Grenell.

Këto komente, Grenell i ka bërë në reagim ndaj publikimit të një informate që e ndërlidh Jack Smith-in me presidentin Joe Biden.

Sipas publikimit të gazetarit amerikan Joe Rodgers, bashkëshorja e Jack Smith kishte kontribuuar financiarisht në fushatën e Joe Biden më 2020.

Sipas dokumente zyrtare, të cilat ai i ka publikuar, Katy Chevigny, bashkëshortja e ish-Kryeprokurorit të Speciales, kishte kontribuuar me dy mijë dollarë në fushatën presidencial të Joe Biden.

Jack Smith ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeprokurorit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (Prokurorisë Speciale) në Hagë të premten.

Kryeprokurori Smith ishte i ngarkuar me hetimin dhe gjykimin e krimeve të pretenduara të luftës në Kosovë.

Lajmin për largimin e tij nga proceset gjyqësore në Hagë e ka bërë të ditur Departamenti i Drejtësisë në SHBA.

“Prokurori i posaçëm, Smith ka dhënë dorëheqjen si kryeprokuror i gjykatës speciale në Hagë, i ngarkuar me hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë” – thuhet në njoftim.

Smith, i cili Prokurorisë Speciale në Hagë i ishte bashkuar në vitin 2018, tani do të jetë pjesë e sistemit të drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të hetuar raste të tjera.

Ai u emërua për të mbikëqyrur një nga hetimet të mbajtjes së dokumenteve të klasifikuara në resortin Mar-a-Lago të ish-presidentit Donald Trump.