Gratë marshojnë, nuk festojnë

Në “Ditën Ndërkombëtare të Grave”, gratë në Kosovë kanë paralajmëruar një marshim në sheshet e Prishtinës, por edhe në qytetet e tjera, derisa thonë se nuk do të festojnë sepse s’kanë asgjë për të festuar.

“Këtë vit për 8 mars, në Ditën Ndërkombëtare të Grave, ne marshojmë, nuk festojmë. Marshojmë sepse nuk kemi asgjë për të festuar. Të bashkuar/a ne kërkojmë drejtësi gjinore dhe shoqërore në Kosovë, duke rezistuar dhe duke e luftuar deri në ç’rrënjosje sistemin patriarkal i cili na shtypë dhe na diskriminon çdo ditë”, thuhet në njoftimin e komunitetit “Marshojmë S’festojmë”.

Tutje thuhet se marshimi nis në ora 12:00 te Zahir Pajaziti.

“Ditën e diel, në ora 12:00 mblidhemi në sheshin Zahir Pajaziti për të marshuar për drejtësi shoqërore dhe barazi gjinore, për një ndarje më të drejtë të privates dhe publikes, për jetë të dinjitetshme pa seksizëm, shtypje e padrejtësi gjinore, shoqërore dhe ekonomike. Duke marshuar, kundërshtojmë çdo lloj të padrejtësisë që ushtrohet ndaj grave”, thuhet në njoftimin në Facebook.

Gjithashtu kanë paralajmëruar se do të hyjnë në grevë, derisa thonë se refuzojnë të punojnë të dielave, që për to thonë se nuk është pushim.

“Marshi i paraprinë grevës kolektive të grave me apo pa kontrata pune. Të dielën hyjmë në grevë për të kundërshtuar diskriminimin që iu bëhet grave. Hyjmë në grevë dhe refuzojmë çfarëdo pune, të ndërrimit të parë apo të dytë, të papaguar apo të paguar. Refuzojmë të punojmë edhe të dielave, ditë kjo e cila për gratë nuk është pushim. Me 8 mars, të bashkuar/a marshojmë, rezistojmë dhe e kundërshtojmë këtë sistem patriarkal i cili është shtypës, i padrejtë dhe poshtërues për qytetaret e qytetarët e republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.