Gratë e Vetëvendosjes nuk kanë nevojë për kuotë, 10 prej tyre ndër më të votuarat

Në zgjedhjet që konsiderohen ‘si të ndryshimit’, pasi i fituan partitë opozitare, kosovarët kanë sjell një tjetër ndryshim. Sipas listave të publikuara me deputetë, nga 31 deputetë që ka marrë Lëvizja Vetëvendosje, 10 të zgjedhura janë gra. Që i bie, VV’ja s’ka nevojë ta fusë asnjë grua në Kuvend përmes kuotës.

Lëvizja Vetëvendosje nuk do të ketë nevojë që të plotësojë kuotën e nevojshme për deputete gra në Kuvend.

Pritet që VV në konstituimin e Kuvendit do t’i ketë më të votuarit në Grup Parlamentar, pa pasur nevojë të bëhen ndryshime.

Albulena Haxhiu, Mimoza Kusari-Lila, Saranda Bogujevci, Yllza Hoti, Labinotë Demi-Murtezi, Arbërie Nagavci, Fitore Pacolli, Arbëresha Hyseni, Fatmire Kollçaku dhe Fjolla Ujkani janë kandidatet më të votuara të VV’së që gjenden në 30’shën më të votuar të VV’së.

Sipas Kushtetutës, duhet që çdo i treti deputet në një listë zgjedhore të jetë grua. Shpesh ka ndodhur që partitë në Kosovë të mos mund të plotësojnë kuotën, dhe kështu deputetët meshkuj është dashur të lëshojnë vend për gratë, që të plotësohet kuota.

Me 31 deputetë, VV’së në cdo variant do t’i duhej që nëntë prej tyre të jenë gra. Mirëpo, kandidatet e VV’së kanë arritur të mbledhin vota dhe ta kalojnë këtë “rregull”.

Megjithatë nuk përjashtohen mundësitë e ndryshimeve, në rast se VV e formon Qeverinë. Kandidatë për deputetë përmenden për pozita të ndryshme që ata mund të marrin në Qeverinë e re, e sipas kësaj, atyre do t’iu duhet ta dorëzojnë mandatin për kolegët e tjerë të partisë.

VV është në bisedime me LDK’në që të lidhet një koalicion paszgjedhor. Disa prej personave, në rast të arritjes së marrëveshjes dhe votimit të një qeverie LDK-VV, mund të zënë poste drejtuese nëpër ministri. Kështu duke ditur se një ministër, apo zëvendës ministër, nuk mund të mbajë edhe pozitën e deputetit, atëherë ka gjasa që përbërja e deptutetëve të VV’së në Kuvend të ndryshojë.

loading…