Grafitet në veri, Islami: Vazhdimësi e politikës serbe për ta paraqitur të rrezikshme situatën në veri

Grafitet e reja të vendosura të enjten në veri të Mitrovicës “NATO shko në shtëpi, këtu është Serbi” po vlerësohen të kenë për qëllim tensionimin dhe kërcënimin nga strukturat paralele serbe. Eksperti i çështjeve të sigurisë, Avni Islami thotë se kjo është metodë e Serbisë për të bërë presion tek ndërkombëtarët në mënyrë që të bëhet realitet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Ai në një intervistë për KosovaPress thotë se Serbia po synon që përmes Asociacionit të krijojë një nivel të tretë me institucionet e Kosovës. Derisa apelon Bashkimin Evropian dhe ShBA-në që të marrin seriozisht mesazhin e këtyre grafiteve.

Sipas tij, çështja e grafiteve është vazhdimësi e politikave të Serbisë që ta paraqesë gjendjen sa më të rrezikshme në veriun e Kosovës.

“Këtë situatë deri me 1 shtator vet shteti serb e ka krijuar dhe ka tensionuar. Si pasojë e gjithë këtyre është që ta mbajë situatën e tensionuar. E gjithë kjo është duke ndodhur lidhur me Asociacionin e Komunave, pra çështja e implementimit të marrëveshjes së Asociacionit të Komunave, ku Serbia është e interesuar që ta bëjë një Bosnjë të dytë brenda territorit të Kosovës, Asociacioni i Komunave të ketë kompetenca që të vendosë vet për vetën në mënyrë që të krijohet një nivel i tretë me institucionet e Republikës së Kosovës. Kjo nuk do të ndodhë dhe nuk duhej të ndodhë, sepse edhe ShBA-ja është deklaruar se Asociacioni i Komunave duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, theksoi Islami.

Sipas tij grafitet në veri të Kosovës janë të vendosura si kundërpërgjigje e vendimeve të Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin ëpr targa dhe letërnjoftime.

“Me vet faktin se në grafitë shkruan ne jemi këtu, kush janë ata që janë aty, pra i mbetet Me vet faktin se ata thonë dhe shkruajnë se ne jemi këtu, atëherë siç po shihet diçka është duke u organizuar që të jepet si kundërpërgjigje vendimeve të institucioneve të Republikës së Kosovës për reciprocitetin, si dhe ndërrimin e targave të cilat duhet të vendosen në automjetet e secilit qytetar të Republikës së Kosovës, pavarësisht cilit nacionalitetit”, thotë ai.

Ai thotë se grafitet e krijuara nga shteti serb, janë pjesë përbërëse e kërcënimeve për ta destabilizuar vendin.

“Këto grafite janë pjesë përbërëse të kërcënimeve, qoftë nga presidenti i Serbisë, nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë por edhe serbëve lokalë të partisë së Listës Srbska, të cilët janë të koordinuar në mënyrë që ta destabilizojnë veriun e Kosovës dhe të përfitojnë atë çfarë dëshirojnë. Pra, Serbia nuk është e interesuar as për stabilitet, por edhe nuk është e interesuar që serbët të prosperojnë në veriun e Kosovës”, thotë ai.

Eksperti i sigurisë thekson se koha prej një muaj e cila iu është dhënë serbëve lokalë për reciprocitet me dokumente dhe ndërrimit të tabelave është e mjaftueshme.

Më tej, ai thotë se nga reagimet e BE-së dhe SHBA-ve, tregon se situata me grafitë e krijuar në veri është serioze.

“Kemi parë edhe ditëve të fundit se sa janë aktive bashkësia ndërkombëtare, pra BE-ja dhe ShBA-ja, lëvizjet e tyre në Kosovë, Serbi dhe Bruksel. Kjo tregon se situata është serioze dhe besoj se pavarësisht asaj çfarë kanë paralajmëruar institucionet e Serbisë që në veriun e Kosovës të mos lëvizin njësitë speciale të Kosovës, e për këtë fatbardhësisht nuk pajtohen jo vetëm institucionet e Kosovës por edhe ndërkombëtare, sepse Policia e Kosovës është dhe do të jetë në çdo cep të Kosovës… Çështja e grafiteve është çështje e vazhdimit të politikave të Serbisë që të bëjë presion, jo vetëm në institucionet tona, por edhe në Bashkësinë Ndërkombëtare që ta paraqesë gjendjen sa më të rrezikshme në veriun e Kosovës”, thotë ai.

Eksperti i sigurisë, Avni Islami apelon institucionet e sigurisë që të angazhohen në gjetjen e kryerësve të grafiteve në veri të vendit dhe të merret seriozisht mesazhi i mesazheve që ato përçojnë.

Kujtojmë se afishe të tjera me mbishkrimet “Këtu jemi, mos u brengosni” dhe “Këtu jemi, po presim”, të shkruara në emër të të ashtuquajturës “Brigada veriore”, një javë më parë ishin vendosur nëpër lokacione të ndryshme në rrugët e veriut të Mitrovicës. Ato kanë shqetësuar qytetarët e kësaj pjese pa dallim, duke ngjallur panik tek ta.