Grabovci shprehet i habitur se si mund të akuzohet për padrejtësi në rastin “Pronto”

Ka përfunduar seanca gjyqësore në Gjykatën Supreme për rastin “Pronto”. Vendimi do të dorëzohet me shkrim.

Ish-shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, është shprehur i habitur që ishte dënuar nga Gjykata e Apelit për rastin “Pronto”. Ai ka thënë se nuk mund ta pranojë që “ka bërë dallime politike”.

“Më çudit fakti si mund të akuzohem që i kam bërë padrejtësi dikujt”, ka thënë ai në seancën gjyqësore.

Duke komentuar telefonatat e shumëpërfolura, Grabovci ka thënë se “më shumë kanë mbetur konsultative”.

Në bisedat e përgjuara dëgjohen zyrtarë e ish-zyrtarë të lartë të cilët bisedonin për emërime në borde publike e institucione shtetërore.

Grabovci në fjalën e tij ka thënë se “i vjen keq çka ka ndodhur”.

“Mua më është bërë gjykim moral. Atë çka ka ndodhur në Gjykatën e Apelit, e vlerësoj plotësisht të padrejtë”, ka thënë tutje ai.

Avokati Florent Latifi që e përfaqëson Grabovcin ka thënë se shpreson që Supremja do të përgjigjet për ligjshmërinë e provave. Latifi pretendon se materialet që janë përdorur në këtë procedurë penale do të duhej të asgjësoheshin.

Sipas Latifit, këto prova do të duheshin të shpallen të papranueshme e siç ka thënë ai, me të tilla veprime rrezikohet siguria juridike e secilit.

Avokati Gëzim Baloku, që përfaqëson ish-sekretarin Ilhami Gashi, ka thënë se pajtohet me Latifin. Ai ka thënë se klienti i tij është dënuar për dy punësime. Për njërin thotë që nuk ka qenë anëtar komisioni për përzgjedhjen e tij e për tjetrin që klienti i tij e ka poentuar me më së paku pikë.

Avokati Mahmut Halimi, që e përfaqëson Sadat Gashin, i cili është ish-këshilltar i ish-ministrit Bajram Rexhepi, ka thënë se klienti i tij në kohën e punësimit të Afrim Dautit nuk ka qenë këshilltar.