Grabitja në Rinas, dy bashkëpunëtorët e Admir Muratajt (Foto)

Mjeshtër i grabitjeve të bankave, kështu është cilësuar Klement Çala, 31-vjeçari që dyshohet të ketë bashkëpunuar me Admir Murataj edhe në grabitjen e 9 prillit në aeroportin e Rinasit.

Emri i tij ka dalë gjatë hetimeve për ngjarjen që mori vëmendjen e të gjithëve, jo vetëm brenda kufijve. Vrasja dhe identifikimi i Murataj, bëri që policia të verifikojë emrat pranë tij dhe bashkëpunëtorët nga e kaluara.

Policia nisi vëzhgimin dhe dyshon se ish-polici me iniciale M.H., Aleks Pepa dhe Klement Çala kanë bashkëpunuar me Murataj edhe në grabitjen e fundit të miliona eurove nga një avion që do të udhëtonte drejt Austrisë. Por arrestimi i tyre kërkon prova, të cilat grupi hetimor po i verifikon nëse do i çojnë tek personat e dyshuar.

Admir Murataj dhe Klement Çala kanë pasur njohje që në Greqi, ku edhe kanë bashkëpunuar në të kaluarën për grabitje të tjera. Në Shqipëri ai është shpallur në kërkim në vitin 2017, bashkë me Admir Muratajn, si të përfshirë në grabitjen e autoblindave me para në Qafë Kashar më 9 shkurt.

Bashkëpunimi i mëhershëm i tyre ka qenë në Greqi në vitin 2013, ku bashkë me Murataj grabitën 1 milion euro në Bankën Kombëtare Greke në qendër te qytetit të Larisës dhe është shpallur në kërkim që prej vitit 2013.

I arratisur nga burgu i Trikallas në 22 mars 2013, si pjesëtar i grupit prej 11 personash të Marjan Kolës, Klement Çala, u shpall menjëherë në kërkim nga policia greke.

Rreth orës 8:40 në mëngjesin e së enjtes të 16 majit 2013, Çala së bashku me një person tjetër, të dhënat e të cilit ende nuk dihen, kanë hyrë fillimisht si klientë në bankë dhe më pas nën kërcënimin e armëve të tipit ‘Kallashnikov’ kanë grabitur rreth 1 milion euro. Ata kanë ikur nga vendi i ngjarjes përmes një dritareje.