Google Play Store tani u rekomandon përdoruesve t’i fshijnë aplikacionet që nuk i përdorin

Ka shumë mundësi që përdoruesit në telefonat e tyre kanë shumë aplikacione, por vetëm disa i përdorin në baza ditore, ndërsa të tjerat i përdorin herë pas here. Kjo do të thotë se ekziston një numër i madh aplikacionesh në pajisje të cilat vetëm zënë hapësirë, raporton Ubergizmo.

Kompania Google si duket është e vetëdijshme për këtë problem dhe tani janë shfaqur informacione se ekziston një funksion i ri në Google Play Store i cili u paraqet përdoruesve të Androidit njoftime dhe ua kujton atyre se mund t’i fshijnë aplikacionet që nuk i përdorin për ta liruar hapësirën në telefonat e tyre.

Me të shtypur në njoftim do të radhiten aplikacionet të cilat përdoruesi nuk i ka hapur ose nuk i ka përdorur për një kohë, duke sugjeruar që një aplikacion i tillë nuk është i nevojshëm dhe mund të fshihet në mënyrë të sigurt. Aktualisht nuk dihet se çfarë i nxit njoftimet dhe sa kohë nevojitet që aplikacioni të mos përdoret për t’u konsideruar i panevojshëm, shkruan KOHA Ditore.

Ky nuk paraqet ndonjë funksion të ri ose revolucionar, pasi që përdoruesit e iOS-it tash një kohë e kanë mundësinë t’i fshijnë aplikacionet e papërdorura në mënyrë automatike.