Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola, në sesionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ka thënë se Serbia duke e lënë të lirë dhe duke e mbrojtur përgjegjësin e sulmit në Banjskë, Milan Radoiçiq, po i shkelë vlerat e Këshillit të Evropës.
Gola ka deklaruar se kjo tregon edhe që Serbia nuk është e gatshme për të ndërtuar raporte normale me shtetin e Kosovës.
“E para Serbia ende nuk e ka dëshmuar gatishmërinë për të ndërtuar raporte normale, veçanërisht me Kosovën dhe e dyta, në vend që të sigurojë llogaridhënie, ajo vazhdon t’i mbrojë ata që janë përgjegjës, që dëshmohet prej faktit se Radoiçiqi vazhdon të jetojë i lirë dhe i mbrojtur në Serbi. Në këtë mënyrë, Serbia është bërë shkelëse e vetë vlerave të cilat Këshilli i Evropës është themeluar për t’i mbrojtur”, ka deklaruar Gola.
Gola është shprehur gjithashtu se Serbia nuk mund të ndihmohet në demokratizim me gjuhe neutrale e duke zbutur faktet shqetësuese.
“Testi i vërtetë i një shteti nuk është se si i përqafon të vërtetat për të cilat është rehat, por se si i trajton ato për të cilat i japin parehati”, është shprehur Gola.
Ndërkohë, anëtarja e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Alicia Kearns, ka thënë se Serbia trajton komshinjët përreth njësoj si Rusia dhe mbron kriminelët.
“Mënyra se si një Qeveri i trajton komshinjtë të tregon se si i trajton të vetët. E shohim me Rusinë e Putinit, luftë jashtë e heshtje brenda. Po e shohim të njëjtën formë në Serbi – me mbështetjen e burrave që e ndajnë Bosnjën, me strehimin e burrave që janë prapa sulmit të Banjskës – jo por me armatosjen e sulmuesve, shikojini numrat serikë të armëve, me shtypjen e protestuesve të rinj, me fshirjen e shtypit të lirë, për një shtet me talentin që e ka Serbia, kjo është tragjedi por jo edhe fati i tij”, ka deklaruar Kearns.
Kearns njihet ndryshe si deputetja e cila kishe alarmuar se në Kosovë po kontrabandoheshin armë nga Serbia dhe po ruheshin në kishat ortodokse serbe. Kearns kishte deklaruar po ashtu që armët po barteshin me autoambulanca. Vetëm dy muaj pas, kishte ndodhur sulmi i Banjskës.
Si pasojë e sulmit terrorist në Banjskë, u vra rreshteri Afrim Bunjaku.







