Gola, dramë, vazhdime – Milani eliminon Torinon, përballet me Juven në gjysmëfinale të Kupës

Milani është rikthyer në një ndeshje dramatike ndaj Torinos në çerekfinale të Kupës së Italisë duke triumfuar me rezultat 4-2 pas vazhdimeve.

Vendasit shënuan të parët në minutën e 12-të me anë të Giacomo Bonaventuras, i cili u asistua nga Ante Rebic.

I asistuar nga Simone Verdi, Gleison Bremer e barazoi rezultatin (34’) dhe me shifra identike, skuadrat shkuan në pushim.

Dy gola nga Gleison Bremer

Në gjysmën e dytë, Bremer e shënoi edhe golin e dytë personal (71’) pas asistimit nga Ola Aina duke  e përmbysur rezultatin.

Jo shumë minuta pasi u inkuadrua në lojë, Hakan Calhanoglu e barazoi rezultatin (82’), ndërsa Zlatan Ibrahimovic nuk shënoi nga dy shanse shumë të mira për ta vulosur kualifikimin në minutat shtesë.

Dy gola nga Hakan Calhanoglu

Skuadrat vazhduan përpjekjet edhe gjatë vazhdimeve për ta fituar lojën, ndërsa sërish protagonist u tregua Hakan Calhanoglu (106’) për ta rikthyer epërsinë e Rossonerëve.

Dhe nuk mund të mungonte goli i Zlatan Ibrahimovic (109’) për të vulosur gjithçka. Ai u asistua në zonë nga Rafael Leao dhe e dërgoi topin në rrjetë.

Zlatan Ibrahimovic e vulosi fitoren

Në gjysmëfinale, Milani do të luajë kundër Juventusit që e eliminoi Romën. Ndeshjet e para gjysmëfinale do të zhvillohen më 12 shkurt, kurse ato të kthimit më 4 mars.