Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës në detyrë, Glauk Konjufca, ka reaguar pas publikimit të një videoje të shkëputur nga një tubim në Ferizaj, duke akuzuar për shtrembërim të qëllimshëm të deklaratës së tij.

Përmes një postimi, Konjufca tha se rrallëherë reagon ndaj lajmeve të rreme, por sipas tij, rasti i fundit përbën një “luftë speciale” me qëllim të kontaminimit të skenës politike.

“Unë rrallë reagoj për lajme të rreme, sepse sot kjo të imponon të reagosh pothuajse çdo orë. Por kjo luftë speciale e sontme nuk më la indiferent”, ka shkruar ai.

Sipas Konjufcës, gjatë një tubimi në Ferizaj, një person që ai e quajti “pseudogazetar” përdori termin “frizere”, term për të cilin ai tha se e kundërshtoi për shkak të mënyrës përçmuese të përdorimit.

“Në një tubim në Ferizaj, një pseudogazetar më ndërpreu dhe e përdori termin ‘frizere’. Ky term më pengoi dhe ia sqarova atij se shumë vajza e gra në popullin tonë e bëjnë këtë punë fisnike dhe e mbajnë familjen e tyre”, deklaroi Konjufca.

Ai shtoi se diskutimi i tij kishte të bënte vetëm me mbrojtjen e dinjitetit të profesionit dhe jo me ndonjë figurë politike.

“Asnjë diskutim imi nuk ka pasur të bëjë me Presidenten Osmani”, theksoi ai, duke shtuar se mediat kanë prerë vetëm një pjesë të deklaratës për të ndërtuar, sipas tij, një rrëfim të pavërtetë.

Konjufca tha se ruan respekt të ndërsjellë me presidenten Vjosa Osmani dhe se ata që e njohin e dinë qasjen e tij në politikë.

Në fund, ai u kërkoi ndjesë të gjithë atyre që mund të jenë ndier të lënduar nga, siç e quajti ai, “konstrukt i inxhinieruar i luftës speciale”.