Gjysma e rusëve nuk besojnë më se Rusia është superfuqi hapësinore

Rezultatet e dala nga hulumtimi i “Romir”, në lidhje me temën “A e konsideroni Rusinë si superfuqi hapësinore”, tregojnë se vetëm 50% e rusëve të anketuarve janë shprehur se e shohin ende Rusinë si superfuqi hapësinore.

Nëse krahasohen rezultatet e hulumtimit të fundit me rezultatet e hulumtimit të para dhjetë viteve, vërehet se besimi i rusëve është ulur me 12%.

Sipas hulumtuesve të “Romir”, 39% e rusëve nuk pajtohen me vlerësimin e madhështisë së Rusisë në projektet kozmike, deri sa në vitin 2010, kjo përqindje ishte 28%. Pjesa prej 11% e të anketuarve e kishin vështirë të përgjigjeshin në lidhje me ketë temë.

Bazuar në rezultatet e hulumtimit, presidenti i “Romir”, Dr. i shkencave sociologjike Andrei Milekhin, shprehet se prestigji i Industrisë hapësinore ruse është minuar, pra nuk e ka besimin e popullatës siç e kishte në vitet e kaluara.

Edhe pse vetëm 50% e të anketuarve besojnë se Rusia është ende superfuqi hapësinore, të anketuarit nuk e mbështesin idenë që Rusia duhet të rritë investimet në projektet hapësinore, çka edhe komentohet si një dorëzim i Industrisë hapësinore ruse në raport me Industrinë hapësinore të SHBA dhe shteteve perëndimore.