Gjyshi i njërit prej nxënësve të lënduar nga rryma te “Faik Konica”: U përpoq ta nxirrte shokun nga trafoja

Mjeku kujdestar në Klinikën Emergjente të QKUK-së, Ejup Govori, ka njoftuar se njëri nga të miturit e lënduar nga energjia elektrike në shkollën “Faik Konica”, është në gjendje të rëndë. Ai ka thënë i njëjti ka djegie serioze në disa pjesë të trupit dhe se aktualisht po trajtohet në mjekimin intensiv. Ndërkaq, për të miturin tjetër, Govori theksoi se gjendja e tij është stabile.

Për gjendjen e nxënësve ka folur edhe gjyshi i njërit prej tyre, Hilmi Duraku, i cili tha se nuk ka informacione se si ka ndodhur rasti, veçse gjendja e nipit të tij është e mirë.

“Gjendja e atij djalit të mëhershëm e ka gjendjen pak më të dobët, Ermali e ka gjendjen më të mirë. Rasti ka ndodhur në një trafo në shkollën ‘Faik Konica’. Ermali tregon se ‘kam tentuar me nxjerr shokun nga trafo dhe edhe unë jam lënduar’. E ka dorën e lënduar, jashtë rrezikut është. S’ka panik, nuk ka asgjë”, ka treguar ai.

Duraku tha se nuk ka informacione të tjera, por është informuar se ngjarja ka ndodhur gjatë pushimit të gjatë.

Për gjendjen e dy të miturve ka folur mjeku kujdestar në Klinikën Emergjente të QKUK-së, Ejup Govori. Ky i fundit ka thënë se të njëjtit janë sjellë në Emergjencë rreth orës 11:00.

“Gjendja e tyre për momentin është stabile edhe përkundër asaj që kanë djegie, plagë të rënda, në disa regjione të shkallës së tretë. Njëri prej tyre është pak më lehtë, ka në shuplakën e djathtë një djegie të shkallës së dytë dhe dy A dhe dy B, sipas kirurgut plastik që e ka përcaktuar. Edhe është përpunuar plaga nga kirurgu plastik dhe ai pas observimit është pranuar në Kirurgjinë Plastike për tretman të mëtutjeshëm. Ndërsa, ky tjetri, po ashtu i vitit 2008, janë sjellë të dytë me autoambulancën e qytetit të urgjencës në Prishtinë rreth orës 11:00. Edhe ka djegie shumë serioze në disa regjione, në dy shuplakat edhe ka po ashtu djegie në sipërfaqe të anës së djathtë të shpinës, si regjione femurale dhe proale, po ashtu një djegie jashtëzakonisht e rëndë”, ka njoftuar ai.

Për njërin nga të miturit, Govori njoftoi se po trajtohet në mjekimin intensiv.

“Ky pacient është transferuar në sallën operative ku nga kirurgu plastik do të bëhet intervenimi edhe është referuar nga kirurgu plastik që të transferohet në mjekim intensiv. Vet transferi në mjekimin intensiv tregon për gjendjen e tij që është jashtëzakonisht serioze”, shtoi ai./ KP