Ndeshja mes Kamzës dhe Laçit përfundoi me rezultatin 1-1 u shoqërua me akte të turpshme dhune.

Arbitri kryesor i takimit, Eldorjan Hamiti ka rënë pre e një dhune barbare nga tifozët dhe drejtuesit e Kamzës.

Shkak që situata të degjeneronte në grushte e shkelma u bë një penallti e akorduar nga ai në minutat e fundit.

Pas ndeshjes, për “Panorama Sport” ai u shpreh se në atë fushë dje është ndierë i vrarë: fizikisht, moralisht dhe profesionalisht.

Hamiti rrëfen:

Tani jam më mirë. Kam dhimbje në kokë dhe në qafë, por mjekët më thanë se mund të rri në shtëpi. E kuptoni ç’do të thotë të të shohin familjarët ashtu “live” në televizor? Ishte padrejtësi e madhe, ishte një maskaradë. Unë kam gruan shtatzënë dhe një djalë të vogël 5 vjeç.
E kuptoni ju, çfarë kanë përjetuar ata së bashku me pjesëtarët e tjerë të familjes? Nuk ka argument që e justifikon atë sjellje barbare. Më vranë more në fushë, e kuptoni apo jo? Më gjuajtën si mundën, sa mundën, me çfarë kishin në dorë. Edhe Qarri më goditi. Erdhi aty dhe fillimisht bëri sikur po më mbronte, pastaj më goditi.”