Gjyqtari i famshëm spanjoll: Nëse VAR do të kishte ekzistuar më parë, tani do të isha me flokë

Antonio Mateu Lahoz (42 vjeç) ishte të martën mysafir i emisionit “El Hormiguero”, ku tregoi më shumë detaje rreth botës misterioze dhe enigmatike të gjyqtarëve të futbollit.

Në fakt, pyetja e parë ishte në lidhje me arsyen që çoi atë për t’u bërë një nga emrat më të shquar në këtë profesion delikat, edhe pse përgjigjia shënoi momentin më emocional të programit.

“Për fat të keq ishte vdekja e babait tim. Ne jemi gjashtë vëllezër dhe më i madhi më inkurajoi të bëja diçka që më pëlqente, pas vdekjes së babait. Ishte moment tronditës në atë kohë dhe duhej ta kaloja me diçka, që më bënte të harroja dhimbjen. Ishte viti 1991 dhe ai moment shënoi jetën time. Ishte si një “terapi shoku”, falë shtytjes së vëllait tim dhe asaj përvoje të keqe, që kisha përjetuar”.

Sidoqoftë, asgjë nuk ka të bëjë sot me këtë profesion, nëse e krahason me arbitrimin e viteve të tij të para. Kjo, falë përfshirjes së VAR në futboll.

“Nëse VAR do të kishte ekzistuar që më përpara, kur e kam nisur këtë profesion, sot do të isha ende me flokë. Presioni dhe ngarkesat psikologjike kanë qenë brutale në punën tonë, para se të futej video-arbitrazhi si ndihmë e madhe.

Falënderoj median, sepse na ka ndihmuar me analizat e saj, e ka vlerësuar shumë punën tonë. Imagjinojeni vetë çfarë do të thotë të jeni arbitër futbolli prej 14 vitesh… Kam kaluar situata të komplikuara gjatë karrierës sime të gjatë në La Liga. Kam bërë edhe gabime, por tani, me VAR, gjithçka është ndryshe”.