Skenderaj

Gjykimi për vrasjen e rëndë në Baks të Skenderajt, çka deklaruan dy ekspertët nga fusha e forenzikës

Në seancën e së martës, në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, në gjykimin ndaj të akuzuarve Shukri Rexhepi, Rexhep Rexhepi, dhe Fiton Musliu, u dëgjuan eksperti Milazim Tahiruka dhe eksperti Sokol Dedaj.

Fillimisht, në këtë seancë në cilësinë e ekspertit u dëgjua Milazim Tahiruka, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurues Fetije Bajrami, eksperti tha se metodat e përdorura në raportin ku konstatohet rezultati i ekspertimit janë të aprovuara nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë, po ashtu janë të akredituara sipas standardit ISO17025/2017, janë të validuara dhe të kontrolluara nga ekspertë ndërkombëtar, dhe të monitoruara nga Drejtoria e Akreditimit të Kosovës.

Ai tha se ekzaminimi i monstrave prej dëshmisë 1 deri 14 ka treguar se nuk ka mikrogrimca unike me përmbajtje të tre elementeve kimike: plumb, antimon, barium me prejardhje nga kapsolla e armës së zjarrit, dhe në bazë të kësaj është nxjerrë konstatimi përfundimtar që ka qenë objekt ekspertimi.

Më pas, në këtë seancë u dëgjua edhe eksperti Sokol Dedaj.

Prokurorja Bajrami, e ka pyetur ekspertin a do të thotë se mungesa e grimcave me prejardhje nga kapsolla e armës në duartë e një personi, mund ta eliminojë atë person nga mundësia e shkrepjes me armë zjarri. Eksperti tha se mungesa e mbetjeve të grimcave me prejardhje nga kasposlla e armës në duart e një personi nuk e eliminon atë person nga mundësia e shkrepjes së armës.

Përveç prokurores Bajrami, palët tjera nuk patën pyetje për dy ekspertet, ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Rexhep, avokati Mahmut Halimi tha se nuk ka pyetje për faktin se në këtë çështje pushka automatike dhe pushka e gjuetisë nuk janë kontestuese se nga kush janë përdorur, dhe se ekspertët i takojnë fushës se specializuar për kryerjen e analizave të zjarrvenies, eksploziveve dhe grimcave te barutit.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Fiton Musliu, avokati Gani Rexha propozoi që të bëhet ekzaminim për të pandehurin Musliu, në mënyrë që të konstatohet tronditja e fortë mendore, intensiteti si dhe ndikimi i saj në mekanizmin e frenimit.

Propozimin e avokatit Rexha, e kundërshtoi prokurorja Fetije Bajrami, me arsyetimin se i pandehuri Musliu veprën për të cilën akuzohet e ka kryer pas përfundimit të veprës penale nga të akuzuarit tjerë.

Edhe mbrojtësit e të akuzuarve Rexhepi, avokati Mahmut Halimi dhe avokati Shyqyri Rexha e kundërshtuan propozimin e avokatit Gani Rexha, me arsyetimin se ende është faza e dëgjimit të provave dhe ende nuk dihet dinamika e zhvillimit të ngjarjes.

Më pas, kryetari i trupit gjykues, Mentor Hajraj i sqaroi të akuzuarit Musliu lidhur me propozimin që bëri mbrojtësi i tij, avokati Gani Rexha, dhe i njoftoi palët se lidhur me këtë propozim do të vendoset më vonë, pas administrimit të provave të tjera në këtë çështje penale.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Shukri Rexhepi, avokati Mahmut Halimi propozoi të caktohet një ekspert i balistikës – specialist i armëve, që të dëgjohet në shqyrtim gjyqësor dhe të sqaroi veçoritë e mbushjeve barutore të armëve, pra të pushkës automatike të cilën ditën kritike e ka përdorur i akuzuari Shukri, dhe pushkën e gjuetisë, krahas kësaj edhe me ndihmën e ekspertëve të mjekësisë ligjore të vertetohen pozitat, kahjet e predhave të shkrepura nga armët, si dhe distancat e mundshme në mes të përdoruesve të armëve dhe personave të goditur.

Propozimin e avokatit Halimi, e kundërshtoi prokuroja Bajrami, me arsyetimin se nuk është kontestuese se kush i ka përdorë armët në kryerjen e veprave penale.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Musliu, avokati Gani Rexha e kundërshtoi këtë propozim, me arsyetimin se sipas tij është i panevojshëm dhe nuk ndihmon asgjë rreth ndriçimit të gjendjes faktike dhe vetëm e zvarritë procedurën penale.

Ndërsa, gjykata e aprovoi propozimin e avokatit Mahmut Halimi, dhe caktoi që dëgjimi i ekspertit të balistikës pranë Agjencinit të Kosovës për Forenizë të bëhet më 29 shkurt, në seancën e caktuar paraprakisht.

Ndryshe, i akuzuar në këtë rast ka qenë edhe Agim Musliu, ndaj të cilit ishte veçuar procedura pas pranimit të fajësisë për armëmbajtje pa leje.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 19 qershor 2023 ka ngritur aktakuzë kundër Shukri Rexhepit, Rexhep Rexhepit, Fiton Musliut dhe Agim Musliut.

Shukri dhe Rexhep Rexhepi akuzohen se më 23 korrik 2022, në fshatin Baks, Komuna Skenderaj, në bashkëkryerje, kanë privuar nga jeta viktimën B.M, si dhe kanë plagosur të dëmtuarin Labinot Ademi.

Rasti thuhet se ka ndodhur pas një fjalosjeje. Kurse, Fiton Musliu akuzohet se me dashje ka filluar kryerjen e veprës penale të vrasjes mirëpo që e njëjta ka mbetur në tentativë, pasi i njëjti ka shkrepur me pushkë të gjuetisë me qëllim që ta privojë nga jeta Shukri Rexhepin.

Kurse, Agim Musliu thuhet se ka mbajtur në posedim armë të zjarrit- pushkë e gjuetisë në kundërshtim me Ligjin për Armë.

VIDEO BONUS: “200 mijë qytetarë ta kanë lëshu Kosovën” – “Po manipuloni”, përplasje mes Zemajt dhe Muratit