Prizren

Gjykimi për grabitjen me maska në market në Prizren, mungojnë dy të akuzuar

Seanca e paraparë të mbahej të premten ndaj 4 të akuzuarve, dështoi sepse 2 nga 4 të akuzuarit nuk u paraqitën në gjykatë.

Në seancën e sotme munguan të akuzuarit Florian Telaku dhe Arlind Rexhaj.

Kryetarja e trupit gjykues gjyqtarja Raima Elezi, konstatoi i akuzuari Telaku ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt dhe se ftesa i është dërguar edhe përmes Stacionit Policor, mirëpo nuk ka sqarim nga Stacioni Policor nëse të akuzuarit e kanë pranuar ftesën për t’u paraqitur para gjykate apo jo.

Mbrojtësi i të akzuuarit Florian Telaku, avokati Ardian Morina, deklaroi se në një bisedë telefonike me një familjar të akuzuarit i është thënë që zyrtarët policorë kanë qenë 2 herë në shtëpi për ta kërkuar të akuzuarin, mirëpo nuk i është dhënë asnjë arsye tjetër për mungesën.

Ndërsa u tentua që i akuzuari tjetër Arlind Rexhaj të kontaktohej me telefon, kjo nuk u arrit. Nën këto rrethana mungonin kushtet ligjore për mbajtjen e rregullt të seancës.

Kryetarja e trupit gjykues gjyqtarja Raima Elezi së bashku me anëtarët e trupit gjykues gjytarët Gani Kastrati dhe Shpresa Emra, vendosi që sipas propozimit të Prokurorit të shtetit Metush Biraj, të lëshojë urdhër arrest për të akuzuarit që munguan në seancë.

Ajo konstatoi që do të kërkojë informacion shtesë nga ana e Stacionit Policor rreth asaj se pse nuk ka sqarime për ftesat e dërguara te të akuzuarit nga ana e Policisë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë katër të akuzuarit Asllan Bytyçi, Florian Telaku, Vullnet Susuri, dhe Arlind Rexhaj, kah fundi i dhjetorit të vitit 2017, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të grabitjes në tentativë.

Aktakuza thotë se Asllan Bytyçi dhe Vullnet Susuri pasi kishin maskuar fytyrën , me thika në duar kishin hyrë në marketin me pronar Bardhyl Bytyçi, të cilit nën kërcënimin e thikës i kishin kërkuar para përderisa dy të akuzuarit tjerë Florian Telaku, dhe Arlind Rexhaj kishin qëndruar te dera duke bërë roje.

Sipas aktakuzës, kur i dëmtuari kishte futur dorën poshtë tavolinës për të marrë karrige për t’u mbrojtur, të akuzuarit menjëherë ishin larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa të njëjtin veprim në mënyrë të njëjtë e kishin përsëritur edhe më 06 janar të këtij viti.

Seanca e radhës u caktua për 23 nëntor.