Gjykimi i krimeve të luftës, Kurti: Po punojmë në rritjen e numrit të prokurorëve brenda Prokurorisë Speciale

Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, ka thënë se para dy vitesh Kuvendi i Republikës së Kosovës pati ndryshuar Kodin e Procedurës Penale, duke mundësuar kështu gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës.

Por sipas tij, hetimi dhe gjykimi i krimeve të luftës ende mbetet çështje e heshtur e institucioneve dhe e sistemit tonë të drejtësisë.

Ai tha se janë duke punuar në rritjen e numrit të prokurorëve brenda Prokurorisë Speciale.

Postimi:

Sot u mbushën dy vjet prej kur Kuvendi i Republikës së Kosovës pati ndryshuar Kodin e Procedurës Penale, duke mundësuar kështu gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës. 22 vite pas luftës, e dy vjet pas këtij plotësim-ndryshimi, hetimi dhe gjykimi i krimeve të luftës ende mbetet çështje e heshtur e institucioneve dhe e sistemit tonë të drejtësisë.

Duke pasur prioritet adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës, Qeveria jonë ka bërë sërish ndryshimet e nevojshme për të lehtësuar punën e institucioneve të drejtësisë për gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës.

Jemi duke punuar edhe në rritjen e numrit të prokurorëve brenda Prokurorisë Speciale. Ndërkaq, me themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, do të kemi më në fund dokumentim të qartë e të plotë mbi krimet e Serbisë në vendin tonë.

Kosovës i nevojiten prokurorë aktivë e të mençur, dhe gjykatës efikasë e të ditur. S’kemi kohë për të humbur.