Gjykatat i hodhën poshtë aktakuzat për 43 persona të dyshuar për korrupsion, KPK e vlerëson shifër shqetësuese

Anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), e kanë vlerësuar si shqetësues faktin se një numër i aktakuzave të korrupsionit, janë hedhur poshtë nga gjykatat e vendit.

Ky diskutim, ka pasuar shifrat që janë paraqitur për nëntëmujorin e vitit 2019, për të cilën periudhë ka raportuar drejtori i Njësitit për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve, Valon Jupa.

Sipas këtij raporti, për periudhën janar-shtator të këtij viti, 85 % e aktakuzave të ngritura për veprat penale karakteristike, kanë përfunduar me shpalljen fajtorë të të akuzuarve nga ana e gjykatave, gjatë periudhës janar-shtator 2019.

Në kategorinë e veprave penale karakteristike, hyjnë veprat penale, që kanë të bëjnë me armët, droga, kontrabandim me migrantë, krim të organizuar, korrupsion zyrtar, shpëlarje të parave, trafikim me njerëz, krimet ekonomike dhe nxitje e urrejtjes.

Sipas këtij raporti, prej 116 personave që kanë qenë të akuzuar për vepra penale të korrupsonit, për 43 persona janë hedhur poshtë aktakuzat ndaj tyre.

Valon Jupa, gjatë raportimit të tij, tha se gjatë kësaj periudhe nëntëmujore, shifra e lëndëve, përkatësisht e kallëzimeve penale të pranuara dhe të trajtuara arrin në 95.8 %, kurse parashtrues kryesor të kallëzimeve penale gjatë kësaj periudhe, kanë qenë institucionet shtetërore me 95 % dhe qytetarët e dëmtuar me 5 %.

Nga këto raste të iniciuara, 66.8 % të tyre, sipas Jupës, ishin ngritur aktakuza, 20.94 % ishin hudhur poshtë, 11.10 % kishin përfunduar me pushim të rasteve, kurse në 1 % kishte ndodhur bashkim i procedurave.

Kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni, e ka cilësuar si shqetësues faktin se në 20 % të aktakuzave përfundojnë me hudhje, ndërsa si progres e vlerësuar numrin e ankesave të prokurorëve të aprovuara nga Apeli, ku sipas tij, nga shifra prej rreth 5 % e ankesave të aprovuara që kishte qenë vitet e kaluara, kjo shifër këtë vit arrin në 15 %.

Megjithatë, kryesuesi Hyseni e ka verësuar si shumë të mirë raporton e prezantuar, ku sipas tij, shifra prej 85 % të vendimeve fajësuese që kanë nxjerr gjykatat gjatë kësaj periudhe tregon një ngritje të profesionalizmit.

Edhe anëtarja e KPK-së, Ikramije Bojaxhiu e quajti si shqetësuese faktin se në 43 raste të korrupsionit, janë refuzuar akuzat nga ana e gjykatave.

Lidhur me refuzimin e akuzave të korrupsionit, kryeprokurori Aleksandër Lumezi, tha se ka raste kur pas ankesave të prokurorëve, instancat më të lartë të gjyqësorit kishin vendosur në favor të prokurorëve, andaj, i njëjti tha se do të ishte mirë që edhe këto raste të jenë të pasqyruara në raport.

Ndërsa, një shpjegim për rastet e hudhjes së aktakuzave, zëvendës-kryesuesi i KPK-së, Arben Ismajli, tha se pas hyrjes në fuqi të Kodit të ri Penal, prokurorëve ju është dashur të tërhiqen nga akuzat për shkak të ndryshimeve që kanë ndodhur në këtë kod.

Ndryshe, Valon Jupa gjatë raportimit të tij, tha se gjatë kësaj periudhe nëntëmujore, sa i përket veprimeve të prokurorive, tha se në 50.56 të rasteve ishte nxjerr aktvendim për fillim të hetimeve, 18.53 % ishin bërë kërkesë për informata shtesë, 9.44 %, ishin nxjerr aktvendim për zgjerim të hetimeve, ndërsa po ashtu, në 9.68 % të rasteve ishin bërë kërkesa për caktim të paraburgimit.

Nga këto kërkesa për caktim të paraburgimit, Jupa tha se 78 nga to ishin aprovuar nga gjykata, apo 40.24 % të rasteve.

Ndërsa, sa i përket vendimeve të gjykatave, Jupa tha se 513 persona gjatë kësaj periudhe ishin shpallur fajtorë për veprat penale karakteristike, apo 85 %, në 3.48 % rasteve të akuzuarit ishin liruar, 8.96 të rasteve aktakuza ishte refuzuar kurse në 2.32 % të rasteve aktakuzat ishin hudhur poshtë.

Kurse, sa i përket ankesave të cilat i kishin parashtruar prokurorët në Gjykatën e Apelit, nga 52 të tilla, Jupa tha se Apeli i ka aprovuar 8.

Sa i përket ankesave në Apel, Jupa tha se numri më i lartë i tyre kanë të bëjnë me rastet e korrupsionit, ku 24 nga këto ankesa kanë qenë lidhur me vendimet për dënim, me 7 nga to të pranuara nga Apeli.

Më pas, raporti është miratuar nga nëntë anëtarët prezent në mbledhje, ndërsa, sic tha kryesuesi Hyseni, anëtarja Merita Bina-Rugova mungon pasi që gjendet në vizitë zyrtare.

Ndryshe, njëzëri Këshilli votoi për mbylljen e pikave tjera të rendit të ditës, ku përfshihen edhe pikat që kanë të bëjnë me raportet e Komisioneve për Rishqyrtim për procesin e emërimit të Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë si dhe dy seanca disiplinore. /BetimipërDrejtësi

loading…