Gjykata vendos ta sekuestrojë luanin e Gjilanit, shteti s’ka ku ta strehojë

Ministri në detyrë i ambientit Fatmir Matoshi ka thënë për T7 se rasti është paraqitur në Gjykatë si kundërvajtje.

Njihet si kafsha mbizotëruese e xhunglës.

Por ky luan i quajtur Gjoni po mbahet ilegalisht që dy muaj i mbyllur në kafaz në fshatin Stanqiç të Gjilanit.

Për këtë ministria e mjedisit ka formuar një grup punues i cili ka hartuar një raport.

Në këtë dokument të cilin e posedon T7 janë gjetur shumë shkelje gjatë importimit të luanit, pasi që personi që e solli nuk ka kërkuar leje për import.

Kërkesën e Prokurorisë në Gjilan për sekuestrimin e luanit e aprovoi Gjykata Themelore.

Por pavarësisht se u zbatua një vendim i tillë u doli një tjetër problem.

Ministria e ambientit nuk ka vend ku ta strehojë luanin që është futur ilegalisht në Kosovë.

Sipas grupit punës në momentin që Gjykata e identifikon vendin e origjinës, luanin do ta kthejnë atje.

E ministri në detyrë i ambientit Fatmir Matoshi përmes telefonit ka thënë për T7 ka thënë se rasti është paraqitur në Gjykatë si kundërvajtje dhe se operatori për këtë vepër do të marrë dënimin nga Gjykata sipas legjislacionit në fuqi

Ndërkohë tek kafazi ku po mbahet luani askush nuk ka pranuar të flasë derisa nuk e kanë lejuar as ekipin e televizionit 7 që ta xhirojë.