Gjykata Themelore

Gjykata Themelore cakton masën e paraburgimit për zv/ministrin Cena dhe të dyshuarit e tjerë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur nga një muaj paraburgim për zëvendësministrin e Zhvillimit Rajonal, Musa Cena dhe dy të dyshuarve të tjerë për marrje të ryshfetit, Hazër Shehut dhe Nysret Shalës.

Tre të dyshuarit janë arrestuar këtë të shtunë nga Policia e Kosovës, përderisa vendimi për paraburgim është marrë para pak minutave, raporton Indeksonline.

Vendimi i Gjykatës Themelore u mor në bazë të kërkesës së Prokurorisë, e cila kërkoi poashtu që të vendoset e njëjta masë e paraburgimit, një muaj për të tre të dyshuarit.

Zv/ministri Cena dhe dy të dyshuarit e tjerë janë arrestuar nën dyshimin për marrje të ryshfetit dhe keqpërdorim të detyrës.

Ndryshe lidhur me këtë ditën e sotme është deklaruar edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj i cili ka thënë se do të pres deri në fund rezultatet nga organet e hetuesisë.