Pas disa javësh polemikash dhe pretendimesh nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – dega në Junik, Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuar ankesën e këtij subjekti lidhur me listën e votuesve në komunë.
Vendimi me numër AA.nr.100/2025 u publikua sot, duke vulosur përfundimisht procesin e ankesave që AAK kishte paraqitur më herët edhe në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Kryetari i Junikut, Ruzhdi Shehu, ka reaguar pas vendimit duke e cilësuar këtë si “përgjigjen e duhur gjyqësore ndaj propagandës së AAK-së”.
“Që nga 12 tetori, AAK në Junik ka zhvilluar një fushatë propaganduese të ulët, duke tentuar të arsyetojë dështimin e tyre në rundin e parë të zgjedhjeve. Sot, edhe Gjykata Supreme e refuzoi si të pabazuar ankesën e tyre. Pretendimet e tyre janë hedhur poshtë në të gjitha instancat gjyqësore,” – ka deklaruar Shehu.
Ai shtoi se propaganda politike “është përpjekje e kotë për të fshehur dështimet”, duke theksuar se qytetarët e Junikut do të japin përgjigjen e tyre më 9 nëntor në kutitë e votimit.
“Juniku është i junikasve. Asnjë propagandë nuk mund ta kthejë Junikun në vitet 2009–2021, periudhë kur komuna ka ngecur për 12 vjet nën qeverisjen e atyre që as nuk janë të Junikut dhe as nuk shqetësohen për nevojat e tij,” – shtoi ai.
Shehu ka bërë thirrje për qetësi dhe besim në institucionet e drejtësisë, duke theksuar se “epoka e vjetër ka përfunduar përgjithmonë”.







