Gjykata Speciale: Të akuzuarit në Hagë mund të falen brenda qendrës së paraburgimit e të konsultohen me hoxhallarë e priftërinj

Të paraburgosurit e Gjykatës Speciale në Hagë krahas aktivitete të tjera, mund të frekuentojnë edhe dhomën e lutjeve, në të cilën Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi e të tjerët mund të kryejnë ritualet fetare të fesë që i përkasin. Madje, në dhomën e lutjeve, ata mund të lexojnë edhe libra që kanë përmbajte fetare.

Dhomat e Specializuara, në një përgjigje për Reporteri.net, kanë treguar se të paraburgosurve u ofrohen shërbime fetare nga njerëzit kompetent të fesë të cilës ata i përkasin.

“Rregullat e paraburgimit parashohin që përfaqësues të kualifikuar të besimeve fetare ose bindjeve të të paraburgosurve lejohen të mbajnë shërbime dhe aktivitete në ambiente të përshtatshme brenda objektit të paraburgimit dhe t’i vizitojnë të paraburgosurit në kohë të përshtatshme”, thuhet në përgjigjen e Speciales.

Të pyetur nga Gazeta nëse në dhomën e lutjes gjendet Kurani dhe Bibla, pasi që të paraburgosurit deklarohen si myslimanë e katolikë, Gjykata Speciale nuk ka qenë e drejtpërdrejtë në përgjigje.

Megjithatë, në përgjigje, theksohet se Thaçi dhe të tjerët të akuzuar nga Haga mund të kenë në zotërim literaturë fetare e cila shërben si udhëzues të fesë që i përkasin.

“Gjithashtu, në masën që është praktikisht e mundshme, të paraburgosurve u lejohet të marrin pjesë në shërbimet fetare, ceremonitë ose takimet e disponueshme në objektin e paraburgimit dhe të kenë në zotërim libra, literature ose udhëzues që lidhen me besimet fetare ose bindjet e tyre, në varësi vetëm të kufizimeve të nevojshme për ruajtjen e sigurisë ose të rregullit në objektin e paraburgimit”, thuhet në përgjigje.

Tutje, Gazeta Online ‘Reporteri.net’ është interesuar nëse të paraburgosurve u ofrohen shërbimet e imamit gjatë lutjeve të së premtes (xhumasë) apo të priftit gjatë së dielës, ka theksuar se atyre u ofrohen shërbime nga përfaqësues të kualifikuar.

Tutje Specialja ka deklaruar se brenda objektit të saj të paraburgimit në Hagë ekziston një hapësirë e caktuar që plotëson nevojat shpirtërore të të paraburgosurve.

Përndryshe, Reporteri.net, ka shkruar rreth mos sigurimit të qasjes nga ana e Gjykatës Speciale në materiale me përmbajtje pornografike për të paraburgosurit në Hagë.

Në përgjigjen e Speciales thuhej se ky institucion nuk siguron materiale të tilla për të paraburgosurit.

Ndërkaq gjatë kësaj jave, Reporteri.net ka shkruar rreth mundësisë që të paraburgosurit kanë për të lexuar literaturë në gjuhë të ndryshme në bibliotekën e Njësisë së Paraburgimit, e cila sipas Speciales posedon qindra libra dhe e cila përditësohet vazhdimisht.

Por, Specialja, nën arsyetimin e privatësisë, nuk ka ofruar informata lidhur me atë se çfarë saktësisht lexojnë të paraburgosurit në Hagë.

Javën që shkoi, Reporteri.net ka shkruar rreth mungesës së fshehtësisë së korrespondencës të të paraburgosurve në Hagë.

Në përgjigjen e Speciales thuhej se për shkak të rrethanave të sigurisë, zyrtari kryesor i paraburgimit hap, inspekton dhe lexon letrat e marra dhe të dërguara prej të paraburgosurve.

Por, ky veprim i DHSK-së u kritikua nga juristët kosovarë duke nënvizuar se me një qasje të tillë po u mohon të drejtën e konfidencialitetit të korrespondencës, të cilën e garanton Kushtetuta e Kosovës.

Kujtojmë që ish-komandantët e UÇK-së, Thaçi dhe të tjerët, po mbahen të paraburgosur në Hagë nën dyshimet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ndërkaq, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë që përfshinë pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësimin e dëshmitarëve, hakmarrjen dhe shkeljen e fshehtësisë së procedurës.