Fredi Beleri

Gjykata rrëzon kërkesën e Fredi Belerit për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës

GJKKO ka rrëzuar kërkesën e Fredi Belerit për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës. Vendimi është shoqëruar me tensione dhe ovacione në  sallën e gjyqit.

“Turp, turp, të korruptuar”, kanë thirrur disa nga të pranishmit në seancë.

Përpara dhënies së vendimit nga gjykata, Beleri hodhi sërish akuza në drejtim të kryeministrit Edi Rama, që sipas tij po e mban në burg për interesat e veta politike.

“Sot po drejton bashkinë e Himarës dikush që nuk është i mandatuar nga votuesit. Ai ndërkohë po jep tendera dhe po abuzon me bashkinë e Himarës duke lejuar ndërtime pa leje. Po mbahem në burg sepse kështu i intereson kryeministrit. Insistimi i vazhdueshëm i SPAK për të dalë kundër kërkesës pavarësisht se nuk e ka për obligim ligjor tregon presionin politik që ka. Në presion dukshëm janë edhe GJKKO e burgjet. Jam mandatuar për të drejtuar bashkinë, jam zgjedhur nga votuesit e Himarës, që më besuan në procesin e përzgjedhjes si kandidat por edhe o koalicionit bashkë fitojmë por edhe si fitues i zgjedhjeve”, tha Beleri.

Beleri ndodhet në paraburgim me akuzën për blerje votash për zgjedhjet lokale të 25 prillit të këtij viti.