Gjykata refuzon kërkesën e Prokurorisë, noteri Sinan Visoka nuk mbahet në paraburgim

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftua para tre ditësh, më 15 shtator, se pas veprimeve të ndërmarra nga Prokurori i Shtetit dhe Policia e Kosovës, janë ndaluar katër (4) persona për veprat penale “Keqpërdorimi i detyrës dhe autoritetit zyrtar” nga neni 414 i KPK-së, si dhe veprat penale “Mashtrimi” nga neni 323, “Legalizimi i përmbajtjes së rremë nga neni 395, “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 390 i KPK-së.

Prokuroria njoftonte se njëri nga katër të ndaluarit me inicialet S.V. është me profesion noter, si dhe është ndaluar për veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës dhe autoritetit zyrtar” nga neni 414 i KPK-së.

Ndërkaq, tre personat tjerë me inicialet S.B., M.D. dhe J.Zh., janë ndaluar për veprat penale “Mashtrimi” nga neni 323, “Legalizimi i përmbajtjes së rremë” nga neni 395, si dhe “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 390 i KPK-së.

Ballkani.info raportoi po atë ditë se noteri i arrestuar ishte Sinan Visoka. Ky fundit ka reaguar sot, duke sjellë dëshmi në redaksinë tonë se Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për paraburgim ndaj tij.

Në shkresën e Gjykatës thuhet qartë se refuzohet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit për Sinan Visokën, kërkesë kjo e bërë nga Prokuroria më datën 15 shtator të këtij viti.

Ndërkaq tre të dyshuarve tjerë u është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Avokati i Visokës, Besnik Berisha, para Gjykatës ka deklaruar: Jam i shokuar me nivelin e sigurisë juridike dhe arbitraritetin e treguar në rastin e arrestimit të një kolegu të përbashkët, i cili nuk është këtu pse kreu një krim, por është këtu sepse ata që e interpretojnë ligjin kanë menduar për statistika dhe se si do të duken në nivël ndërkombëtar, por jo si duhet të trajtohet një qytetar që ka kryer punën e tij me nder dhe përputhje me ligjin, jo vetëm në këtë rast, por çdo ditë deri me tani.

Ndërkaq, Gjyqtari i procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore, pas dëgjimit të të pandehurit Sinan Visoka dhe mbojtësit të tij, avokatit Besnik Berisha, pas dëgjjimit të prokurorit të shtetit, si dhe pas shqyrtimit të provave të cilat gjenden në lëndë, ka vlerësuar se kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit për Sinan Visokën është e pabazuar, pasi që në rastin konkret nuk ekziston kushti themelor i përcaktuar me nenin 187 paragrafi 1 pika 1.1 të KPPRK-së, e që është dyshimi i bazuar, ngase me asnjë provë nuk është vërtetuar se veprimet e të pandehurit hyjnë në domenin penal.

Në këtë rast, Gjykata ka vendosur që Sinan Visoka të mbrohet në liri.

Për më shumë, më poshtë e gjeni aktvendimin e plotë:

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.