Në seancën e së mërkurës, Gjykata ka obliguar Zyrën e BE-së që ta sigurojë dokumentacionin për të cilin mbrojtësi i ish-zyrtares së BE-së, Albina Nura, e cila po akuzohet për korrupsion, avokati Kujtim Kërveshi pretendoi se po fshehet.

Fillimisht në procedurën e provave, prokurori Naim Abazi tha se Prokuroria në shqyrtimin e mëhershëm i ka shterur të gjitha mundësitë për parashtrimin e pyetjeve të dëshmitarëve që janë propozuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I njëjti tha se konsideron se në këtë fazë, gjykata do duhej të lexoj dëshmitë e dëshmitarëve të dhëna më herët, por me përjashtim të një dëshmitari, Fisnik Rexhepi.

Për këtë dëshmitar, prokurori Abazi tha se pala e dëmtuar i ka dhënë vërejtjet e veta sa i përket mundësisë së marrjes në pyetje.

Lidhur me këtë, duke mbështetur propozimin e prokurorit Abazi, u deklarua edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Leotrim Syla, i cili tha se nuk kanë qenë të trajtuar në atë mënyrë që të mund t’i parashtrojnë lirshëm pyetjet ndaj tij.

“…e duke ditur faktin se është dëshmitari krucial që ka theksuar se gjatë kohës që është angazhuar si ekspert jo-kyç në kuadër të projektit që është objekt i kësaj aktakuze, i njëjti ka qenë i angazhuar në Ministrinë për Integrime Evropiane”, tha avokati Syla.

Ai shtoi se do iu duhet të propozojnë që si prova të nxirren edhe disa akte, për të vërtetuar faktin se a qëndron apo jo pretendimi si në aktakuzë.

Kundër këtij propozimi ishte mbrojtësi i të akuzuarës Nura, avokati Kujtim Kërveshi, i cili tha se dëshmitari Rexhepi po propozohet që të dëgjohet sërish, për diçka që ka deklaruar para trupit gjykues, si dhe që janë paraqitur pyetje shteruese nga të gjitha palët dhe nga trupi gjykues.

Për theksimet e tij, avokati Kërveshi tha se mund të vërtetohen edhe nga procesverbalet në shqyrtimet e kaluara, ku sipas tij shihet se palët kanë deklaruar se më nuk kanë pyetje për atë dëshmitar.

“Unë nuk e di nëse Gjykata ja ka mohu marrjen në pyetje, në procesverbal shkrun që nuk kemi pyetje tjera, e ne nuk kemi pas”, tha ai, duke propozuar që Gjykata ta konsiderojë të lexuar deklaratën e tij.

I njëjti deklaroi se mbrojtja nuk ka propozime për dëshmitar të tjerë, duke konsideruar që të lexohen deklaratat e atyre dëshmitarëve që janë dëgjuar para trupit gjykues të mëparshëm.

Kurse, e akuzuara Nura tha se nëse për çfarëdo arsye vendoset që të thirret dëshmitari Rexhepi, palës së dëmtuar t’i bëhet kërkesë që të sjellin dokumentacionin për aprovimin e tij si ekspert, nga menaxhmenti i Zyrës së BE-së.

“Këtë dokumentacion ne e kemi kërkuar disa herë, mirëpo si i plotë i tillë, kurrë nuk na është sjellë nga e dëmtuara”, shtoi mes tjerash e akuzuara Nura.

Ndërkaq, avokati Kërveshi pretendoi se pala e dëmtuar po fsheh shkresa.

“Nuk e di nëse kjo fshehje e provave materiale e ka vënë edhe Prokurorinë tonë në lajthitje”, tha tutje ai.

Në fund, trupi gjykues aprovoi propozimin e PSRK që të ftohet dëshmitari Rexhepi për seancën e radhës.

Gjithashtu, aprovoi edhe propozimin e të akuzuarës Nura dhe avokatit Kërveshi, që të obligohet Zyra e BE, të ofrojë dokumentacionin që lidhet me dëshmitarin Rexhepi.

Kurse, Gjykata kërkoi nga mbrojtja dhe e akuzuara që përmes email-it, t’i specifikohet Gjykatës se cilat dokumente po kërkohen nga pala e dëmtuar.

Ndryshe, gjykimi filloi rishtazi për shkak të ndërrimit të trupit gjykues, pasi që me 9 janar të këtij viti ishte aprovuar kërkesa e Zyrës së BE-së në Kosovë, për përjashtimin e gjykatësit Vesel Ismaili nga gjykimi,

Ndërkaq, paraprakisht në fillim të seancës, gjykatës Kurtaj njoftoi për përbërjen e re të trupit gjykues, i cili përbëhet tani nga anëtarët Valbona Musliu-Selimi dhe Lutfi Shala.

Kurse, pasi e akuzuara Nura nuk e pranoi fajësinë, u vazhdua me fjalën hyrëse, ku mes tjerash, palët shprehën interesin e tyre që kjo çështje të përfundojë sa më shpejt.

Aktakuza ndaj Nurës ishte ngritur më 18 maj 2021, në të cilën thuhet se ajo i kishte shkaktuar dëm buxhetit të BE-së 500 mijë euro, me çka ka kryer veprën penale të “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “konflikt i interesit”.

Aktakuzën e plotë mund ta lexoni duke klikuar KETU./BetimipërDrejtësi.