Gjykata në Ferizaj aprovon kërkesën e avokatit, Krivaqës i lejojet t’i bëhet ekzaminimi psikiatrik

Kërkesa e avokatit mbrojtës të Dardan Krivaqës, Admir Salihu që klientit të tij, t’i bëhet një ekzaminim për të parë gjendjen psikiatrike është aprovuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar u.d zyrtarja për informim dhe monitorimin e mediave, Gentiana Hoxha.

Sipas saj, gjyqtari e ka aprovuar kërkesën e mbrojtësit të të pandehurit D.K për ekzaminim psikiatrik në Institutin e Psikiatrisë Forenzike.

“Ju njoftoj se gjyqtari i çështjes ka aprovuar kërkesën e mbrojtësit të të pandehurit D.K. lidhur me ekzaminimin psikiatrik në Institutin e Psikiatrisë Forenzike”, ka thënë Hoxha.

Ndryshe, mbrojtësi i të akuzuarit Dardan Krivaqa, avokati Admir Salihu në një nga seancat kishte propozuar që për seancë të radhës të ftohet mjeku që e ka kontrolluar të akuzuarin Dardan Krivaqa në ditën kur është mbajtur seanca dëgjimore për caktimin e paraburgimit, Astrit Hoxha, mjek në emergjencën e Ferizajt.

Sipas avokatit Salihu, ky propozim bëhej për arsye se doktor Astrit Hoxha ka dhënë një deklaratë me disa rekomandime të cilat nuk janë marrë parasysh nga institucionet.