Gjykata merr vendim për të akuzuarin se kishte mashtruar me 962 vota në zgjedhje

Të martën, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur të pafajshëm të akuzuarin për mashtrim në votime, Kastriot Ibrahimi.

Sipas kryetares së trupit gjykues, Violeta Namani, nuk është provuar se i akuzuari në bashkëkryerje ka kryer veprën penale që i vihet në barrë nga organi i ndjekjes, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Bashkë me të akuzohen edhe Shefqet Fazliu, Sherif Abdullahu, Bekim Softolli, Elhame Hoti, Arlinda Hoti dhe Shqipe Mustafa, mirëpo gjykatësja Namani bëri të ditur se ndaj Ibrahimit ishte veçuar procedura.

Lidhur me pesë të akuzuar, Sherif Abdullahu, Bekim Softolli, Elhame Hoti, Arlinda Hoti dhe Shqipe Mustaf, gjykatësja Namani bëri të ditur se janë liruar nga akuza, kurse për Shefqet Faliun ajo tha se i njëjti ka ndërruar jetë.

Paraprakisht, para shpalljes së aktgjykimit, palët në procedurë kanë paraqitur fjalët e tyre përfundimtare.

Prokurorja Bukurije Gjonbalaj ka deklaruar se me provat e siguruara gjatë procedurës hetimore dhe të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, është vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprën penale për të cilën është akuzuar.

Ajo ka thënë se gjendja faktike dëshmohet nga dëshmia e përfaqësuesit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i dëgjuar në cilësi të dëshmitarit, Burim Ahmeti, si dhe nga provat materiale të cilat kanë qenë të propozuara në aktakuzë.

“Nga deklarata e dëshmitarit është konstatuar se sipas Ligjit për Zgjedhje të gjithë komisionerët janë përgjegjës për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit të votimit, procesin e numërimit derisa të përshkruhen rezultatet përfundimtare në formular të rezultateve dhe të nënshkruhen nga dy komisionerët”, ka deklaruar ajo.

Prokurorja Gjonbalaj ka deklaruar se sipas dëshmitarit ,në rezultatet e formularit që ka qenë objekt i shqyrtimit ka pasur parregullsi, dhe disa kandidatëve ju kanë hequr vota dhe i janë shtuar kandidatëve të preferuar të subjekteve politike, me çka njëra nga palët është dëmtuar, kurse tjetra është favorizuar.

“Në këtë rast ka pasur mospërputhje të votave të subjektit të kandidatëve, kandidatët e një subjekti kanë pasur vota më shumë se vet subjekti. Për këtë arsye, këto vota kanë shkuar në rinumërim, me çka kjo vërtetohet edhe nga provat materiale. Nga lista e këshillit të votimeve vërtetohet se i akuzuari ka qenë anëtar i këtij këshillit”, ka thënë ajo.

Ajo ka përmendur provat sikur tabela e të dhënave për vendvotimin me numër 1802 ER/003, formulari i përputhjes të së dhënave dhe rezultateve për vendvotimin e lartcekur me shenjën auditim, formulari i përputhjes të së dhënave të rezultateve të fletvotimit të lartcekur me shenjën e re, si dhe fletpunim ipër vendvotimin e njëjtë me shenjën e vjetër.

Sipas saj, nga këto prova vërtetohet se i akuzuari së bashku me të akuzuarit tjerë kanë manipuluar gjithsej 962 vota të subjekteve politike dhe kandidatëve të zgjedhjeve të datës 12 dhjetor 2010, duke dëmtuar njërën palë dhe duke favorizuar palën tjetër.

Sipas saj, duke analizuar të gjitha këto prova rezulton se i akuzuar ka kryer veprën penale për të cilën është akuzuar, andaj propozon që gjykata ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.

Në anën tjetër, i akuzuari fjalën e tij përfundimtare e ka dorëzuar në formë të shkruar, duke shtuar se për shkak të gjendjes aktuale të pandemisë nuk do ta elaborojë, por se mbetet pranë të njëjtës.

Ndryshe, Kastriot Ibrahimi, tashmë i ndjeri Shefqet Fazliu, Sherif Abdullahu, Bekim Softolli, Elhame Hoti, Arlinda Hoti, dhe Shqipe Mustafa, sipas aktakuzës së ngritur më 31 gusht 2015, akuzohen që në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “mashtrimi në votime”, nga neni 180 lidhur me nenin 23 të Kodit të Përkohshëm Penal të Republikës së Kosovës (ish–KPK).

Sipas aktakuzës, ekziston dyshimi i bazuar mirë se së bashku kanë falsifikuar rezultatet e votimeve, duke hequr dhe shtuar votat, e pastaj duke i regjistruar ato në mënyrë jo të saktë në dokumente zgjedhore që nuk i përgjigjen votimit.

Sipas aktakuzës, kjo gjë është bërë pas marrëveshjes paraprake, ashtu që me rastin e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës më 2010, në vendvotimin me nr. 1802ER/003 të qendrës së votimit në shkollën fillore “Shaban Shala” në Podujevë, nga rezultatet e disa kandidateve kanë hequr 962 vota dhe ua kanë shtuar kandidatëve të preferuar të subjekteve të caktuara politike. Në aktin akuzues thuhet se, pasi që ka përfunduar numërimi i fletëvotimeve, ata i kanë bartur edhe në formularët e përputhjes së të dhënave dhe rezultateve që i kanë nënshkruar, duke konfirmuar se ato shifra kinse pasqyrojnë saktësisht aktivitetet në këtë vendvotim.