Gjykata merr vendim për 6 nga 15 të akuzuarit në rastin “Subvencionet II”

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj gjashtë të akuzuarve B.M, B.B, D.D, S.B, P.K dhe R.Z, të akuzuar për veprat penale “Marrje ryshfeti”, “Ushtrim ndikimi”, “Dhënie ryshfeti” dhe “Mashtrim me subvencione”, në rastin “Subvencionet II”, duke i dënuar (së bashku) me 4 vite burgim dhe 10 mijë euro gjobë.

Aktgjykimi ndaj gjashtë të akuzuarve u shpall të mërkurën, nga gjykatësja Violeta Namani, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ndërsa, gjykimi në këtë rast do të vazhdojë për të akuzuarit L.S, S.Sh, B.N, G.M, R.ZA, A.M, D.D, H.M dhe H.M.

Sipas aktgjykimit, të akuzuarin B.M, për veprën penale “Marrje ryshfeti”, gjykata e dënon me 1 vit e 6 muaj burgim, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Po ashtu, i njëjti obligohet të kompensojë dëmin e shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës në shumën 8 mijë e 400 euro. Ndaj të akuzuarit B.M, u shpall edhe dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të profesionit në administratë publike dhe në funksionet e shërbimeve publike.

Ndërsa, i akuzuari B.B për veprën penale “Ushtrim ndikimi”, u dënua me 6 muaj burgim dhe 1 mijë euro gjobë. Në dënimin me burgim, do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Sipas aktgjykimit, të njëjtit, dënimi me burgim, me pëlqimin e tij mund t’i zëvendësohet me gjobë në shumën 3 mijë e 600 euro.

Kurse, i akuzuari D.D për veprën penale “Dhënie ryshfeti” u dënua me 1 mijë euro gjobë dhe 6 muaj burgim, në të cilin do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak.

Edhe të akuzuarit D.D, me pëlqimin e tij, dënimi me burgim mund t’i zëvendësohet me gjobë në shumën 4 mijë euro.

Kurse, R.Z për veprat penale “Dhënie ryshfeti” u dënua me 1 mijë euro gjobë dhe 6 muaj burgim, në të cilin do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak.

Të akuzuarit R.Z, dënimi me burgim prej 6 muajsh, mund t’i zëvendësohet në dënim me gjobë në dhumën prej 4 mijë euro.

Ndërsa, për “Mashtrim me subvencione” u dënua me 5 mijë euro gjobë, i cili dënim duhet të paguhet në afat prej 15 ditëve jo më gjatë se 6 muaj pasi aktgjykimi të marrë formën e prerë.

Kurse, i akuzuari S.B. për veprën penale “Dhënie ryshfeti” u dënua me 1 mijë euro gjobë dhe 6 muaj burgim. Në dënimin me burgim, të njëjtit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak.

Sipas aktgjykimit, dënimi me burgim, të njëjtit me pëlqimin e tij mund t’i zëvendësohet në gjobë prej 4 mijë euro.

I akuzuari P.K., për veprën penale “Dhënie ryshfeti” u dënua me 1 mijë euro gjobë dhe 6 muaj burgim.

Të akuzuarit P.K., dënimi me burg me pëlqimin e tij mund t’i zëvendësohet me gjobë në shumën 4 mijë euro.

Obligohet secili i akuzuar veç e veç t’i paguajë shpenzimet e procedurës penale, në emër të paushallit gjyqësor shumën nga 100 euro dhe nga 100 euro për fondin e kompensimit të viktimiave të krimit.