Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (ECHR) vendosi të enjten se Rusia kreu një seri shkeljesh të të drejtave të njeriut, përfshirë torturat dhe parandalimin e njerëzve që të ktheheshin në shtëpitë e tyre, pas luftës së saj kundër Gjeorgjisë në vitin 2008.

Konflikti pesë-ditor në gusht 2008 midis Rusisë dhe qeverisë gjeorgjiane pro-perëndimore përfundoi me trupat ruse të vendosura në rajonet gjeorgjiane të Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë, të cilat Moska pastaj i shpalli të pavarur, por që nuk u njohën nga bashkësia ndërkombëtare. Gjeorgjia kishte akuzuar Rusinë në këtë gjykat për shkeljen e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në fazën aktive të konfliktit.

Gjykata vendosi kundër Rusisë për një seri shkeljesh në javët pas konfliktit. Në Tbilisi, Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili përshëndeti vendimin si një “fitore për të gjithë Gjeorgjinë”. “Shteti gjeorgjian njihet si viktimë e kësaj lufte dhe është një arritje e madhe për vendin tonë, shoqërinë tonë, historinë tonë dhe për të ardhmen”, tha ajo, raporton Ballkani.info.

“Është baza mbi të cilën ne duhet të ndërtojmë të ardhmen dhe unitetin tonë”, shtoi ajo. Në vendimin e saj, gjykata tha se rreth 160 civilë gjeorgjianë të ndaluar kishin qenë subjekt i “veprimeve poshtëruese që i kishin shkaktuar vuajtje dhe duhej konsideruar si trajtim çnjerëzor dhe degradues” dhe se të burgosurit gjeorgjianë ishin nënshtruar “paraburgimit arbitrar”.

Gjykata gjeti gjithashtu “se kishte pasur një praktikë administrative në lidhje me aktet e torturave të të cilave kishin qenë viktima të burgosurit gjeorgjianë të luftës”.

Gjykata vendosi që shtetasit gjeorgjianë ishin parandaluar të ktheheshin në Osetinë e Jugut dhe në Abkhazi dhe kjo binte direkt nën përgjegjësinë e Rusisë. Masa e Moskës për të njohur pavarësinë e Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut u pasua nga vetëm një grusht shtetesh të tjera. Gjeorgjia akuzon Rusinë për pushtimin e paligjshëm të territorit të saj dhe përdorimin e spastrimit etnik për të përzënë Gjeorgjianët etnikë nga zonat.